Në mesin e tyre ka thrillerë politikë, drama kriminalistike, komedi dhe përshtatje të veprave të njohura letrare.

1. Trinity

Seriali i ri thriller me temë politike është krijuar nga Jed Mercurio, i njohur për serialet Line of Duty dhe Bodyguard. Në rolin kryesor është Gugu Mbatha-Raw, e cila luan Katherine Decker, zëvendëskomandanten e një nëndetëseje bërthamore amerikane. Richard Madden interpreton sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Webb Preston, një personazh të dyshimtë, që përpiqet ta bindë Deckerin t'i besojë një plani, për të cilin ajo dyshon se mund të jetë një mashtrim.

Seriali nis më 1 dhjetor në Netflix.

2. Harry Potter and the Philosopher's Stone

Bëhet fjalë për përshtatjen e re televizive të librave të njohur të Harry Potterit nga HBO. Seriali synon të sjellë në ekran të shtatë romanet, ndërsa sezoni i parë do të tregojë fillimet e Harry Potterit në shkollën e magjisë Hogwarts, ku ai njihet me Ronin, Hermionen dhe personazhe të tjerë.

Dominic McLaughlin do të luajë Harry Potterin, Alastair Stout do të jetë Roni dhe Arabella Stanton do të interpretojë Hermionen. Në kast janë edhe John Lithgow në rolin e Dumbledore, Janet McTeer si Minerva McGonagall, Nick Frost si Hagrid dhe Paapa Essiedu si Severus Snape.

Seriali nis më 25 dhjetor në HBO dhe HBO Max në SHBA, si dhe në platformat përkatëse në Mbretërinë e Bashkuar.

3. Pride and Prejudice

Një tjetër përshtatje e re e romanit të njohur të Jane Austen, Pride and Prejudice, vjen me një kast të ri aktorësh. Jack Lowden do të luajë zotin Darcy, Emma Corrin do të interpretojë Elizabethin, ndërsa Daryl McCormack do të jetë Bingley.

Në serial paraqiten edhe Olivia Colman dhe Rufus Sewell, të cilët luajnë prindërit e motrave Bennet. Skenari është shkruar nga autorja Dolly Alderton, e cila synon t'i japë një këndvështrim të ri personazhit të zonjës Bennet dhe përpjekjeve të saj për t'u siguruar vajzave një të ardhme të mirë përmes martesave.

Seriali nis më 3 dhjetor në Netflix.

4. Only Murders in the Building

Seriali komedi dhe mister rikthehet me sezonin e gjashtë, këtë herë me ngjarjet që zhvendosen nga Nju Jorku në Londër.

Tre personazhet kryesore, Charles, Oliver dhe Mabel, të interpretuar nga Steve Martin, Martin Short dhe Selena Gomez, nisin hetimet për vdekjen e Cinda Canning, rivales së tyre në botën e podkasteve, e cila u gjet e vdekur jashtë ndërtesës ku ndodhin vrasjet në serial.

Në këtë sezon rikthehet edhe Meryl Streep, ndërsa kastit i bashkohen aktorë të njohur si David Tennant, Olivia Colman, Martin Freeman, Nicola Coughlan dhe Richard E. Grant.

Sezoni i ri nis më 8 dhjetor në Hulu në SHBA dhe Disney+ në Mbretërinë e Bashkuar.

5. The Murder of JonBenét Ramsey

Ky serial trajton një nga rastet më të njohura të pazgjidhura të vrasjeve në SHBA, atë të JonBenét Ramsey, vajzës gjashtëvjeçare që u gjet e vrarë në bodrumin e shtëpisë së familjes së saj në Boulder të Kolorados, në vitin 1996.

Në rolet kryesore janë Melissa McCarthy, e cila luan nënën e saj, Patsy Ramsey, dhe Clive Owen, në rolin e babait, John Ramsey.

Dy prindërit për vite me radhë u përballën me dyshime publike për përfshirje në vrasje, por ata gjithmonë e kanë mohuar këtë. Në vitin 2008, prokurorët i përjashtuan nga dyshimet në bazë të provave të ADN-së.

Seriali rikthen ngjarjet para vrasjes dhe hetimet që pasuan një rast që vazhdon të ngjallë interes të madh publik.

Seriali nis më 10 dhjetor në Netflix.

6. The Other Bennet Sister

Ky serial është një vazhdim i historisë së njohur Pride and Prejudice të Jane Austen, por përqendrohet te Mary Bennet, motra që në romanin origjinal mbetet më shumë në hije.

Në episodet e reja, historia zhvillohet një vit pas martesës së Maryt me Tom Haywardin. Ajo përpiqet të përshtatet me pritshmëritë e shoqërisë së shekullit XIX për rolin e një bashkëshorteje, ndërkohë që dëshiron të ruajë pavarësinë dhe personalitetin e saj.

Në kast rikthehen Ella Bruccoleri në rolin e Maryt, Donal Finn si Tom Hayward, Ruth Jones si zonja Bennet dhe Laurie Davidson si William Ryder.

Episodet speciale për festat transmetohen gjatë dhjetorit në BBC One në Mbretërinë e Bashkuar dhe BritBox në SHBA.

7. Unaccustomed Earth

Seriali bazohet në përmbledhjen me tregime të shkurtra të shkrimtares Jhumpa Lahiri, të botuar në vitin 2008.

Në qendër është Parul Chaudhury, e luajtur nga Freida Pinto, e cila pas diagnostikimit me kancer kthehet nga Mumbai në Cambridge të Masaçusetsit, së bashku me bashkëshortin dhe djalin e saj adoleshent, për t'u trajtuar.

Atje ajo rikthehet në vendin ku kishte kaluar disa nga vitet më të lumtura të jetës së saj, gjatë studimeve në Harvard, por edhe takohet sërish me dashurinë e dikurshme, Amit Mukherjee, të luajtur nga Siddharth.

Ritakimi i tyre sjell zhvillime që përfshijnë edhe familjet e tyre.

Seriali nis më 17 dhjetor në Netflix.

8. Frisco King

Aktori Samuel L. Jackson luan rolin kryesor në këtë serial të ri kriminalistik me elemente komedie, krijuar nga Taylor Sheridan.

Jackson interpreton Russell Lee Washington, i njohur si Lee, një ish-vrasës me pagesë i mafias, i cili ishte prezantuar më herët në serialin Tulsa King.

Pasi refuzon të vrasë personazhin e luajtur nga Sylvester Stallone, Lee nis të krijojë organizatën e tij në Frisco të Teksasit, duke u rrethuar nga një grup personazhesh të pazakontë.

Stallone do të shfaqet si mysafir në disa episode.

Seriali nis më 18 dhjetor në Paramount+ në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar.

9. Emily in Paris

Seriali i njohur Emily in Paris rikthehet me sezonin e gjashtë dhe të fundit.

Në këtë sezon, Emily, e luajtur nga Lily Collins, përballet me vendimin nëse do të qëndrojë në Paris apo do të largohet nga qyteti ku ka ndërtuar jetën e saj.

Historia e çon atë edhe në Greqi dhe Monako, ndërsa në jetën e saj rikthehet Gabriel, një nga ish-partnerët më të rëndësishëm. Ndërkohë, edhe shoqja e saj e ngushtë, Mindy, përballet me vendime të rëndësishme në jetën sentimentale.

Në kast rikthehen edhe Ashley Park dhe Philippine Leroy-Beaulieu, ndërsa Minnie Driver i bashkohet serialit në rolin e princeshës Jane.

Sezoni i fundit nis më 24 dhjetor në Netflix.

10. Call the Midwife: Sisters in Arms

Seriali i njohur britanik Call the Midwife sjell një histori paraprake në tri pjesë, që rikthehet në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Ngjarjet zhvillohen në të njëjtën lagje të Londrës ku punojnë mamitë në serialin origjinal, por kësaj radhe në kohën e bombardimeve dhe mungesave të mëdha të furnizimeve, që ua vështirësojnë punën personazheve.

Në këtë produksion paraqiten versionet më të reja të disa personazheve të njohura, përfshirë motrën Julienne, motrën Monica-Joan dhe motrën Evangeline.

Seriali është krijuar nga Heidi Thomas, autorja e produksionit origjinal, dhe do të transmetohet gjatë dhjetorit në BBC One në Mbretërinë e Bashkuar.