Aksidenti ndodhi në mëngjesin e 22 nëntorit, rreth orës 11:00, në zonën e Prata di Pordenone. Një 31-vjeçare me origjinë shqiptare humbi jetën, ndërsa tre fëmijë që udhëtonin me të mbetën të plagosur.
Viktima u identifikua si Emanuela Shahini, banore e Prata di Pordenone. Ajo po i shoqëronte fëmijët drejt Villanova-s, ku do të merrnin pjesë në festën e 10-vjetorit të ditëlindjes së nipit të saj.
Të lidhura
None found
Sipas rindërtimit fillestar të karabinierëve, makina “Ford Fiesta” humbi kontrollin në një kthesë për shkak të rrugës së lagësht nga shiu. Automjeti doli nga karrexhata dhe u përplas me një shtyllë betoni, e cila u shemb dhe depërtoi në pjesën e përparme të makinës. Goditja ishte aq e fuqishme sa automjeti përfundoi i përmbysur mbi strukturën e betonit.
Emanuela mbeti e bllokuar brenda automjetit të dëmtuar rëndë. Zjarrfikësit ndërhynë për ta nxjerrë, teksa ekipet mjekësore i ofruan ndihmën e parë në vendin e ngjarjes. Ajo u dërgua me urgjencë në spitalin Santa Maria degli Angeli në Pordenone, por humbi jetën pak pas mbërritjes, rreth orës 12:30.
Në makinë udhëtonin edhe tre të mitur: djali 6-vjeçar i viktimës, vajza e saj 4-vjeçare dhe një shoqe 10-vjeçare e tyre. Sipas raportimeve, fëmijët arritën të dilnin vetë nga automjeti pas përplasjes.
Vajza 4-vjeçare u dërgua me helikopter në spitalin e Udines, ndërsa dy fëmijët e tjerë u çuan në spitalin e Pordenones për ekzaminime dhe trajtim. Ata kishin pësuar dëmtime dhe mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit. Personeli mjekësor po monitoron gjendjen e tyre.
Në vendin e ngjarjes shkuan ambulanca, helikopteri mjekësor, zjarrfikësit dhe karabinierët e kompanisë Sacile. Hetuesit po punojnë për të sqaruar dinamikën e saktë të aksidentit, ndërsa po kontrollohet nëse të gjithë pasagjerët në automjet i kishin vendosur rripat e sigurimit në mënyrë korrekte.
Vdekja e 31-vjeçares ka tronditur thellë banorët e Prata di Pordenone. Kryetarja e bashkisë, Katia Cescon, i shprehu ngushëllimet familjes së viktimës dhe solidaritetin me të afërmit në këtë periudhë të vështirë.
“Në emrin tim dhe të gjithë administratës bashkiake, shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes së Emanuelës për këtë tragjedi të madhe. Një nënë e re u nda nga jeta shumë shpejt. Një lutje e veçantë për vajzën e vogël që ishte në bord me të, e shtruar në spital, dhe një mendim plot dashuri e afërsi për të gjithë të dashurit e saj, me të cilët jemi pranë në këtë moment dhimbjeje të papërshkrueshme”, u shpreh ajo.






