BYD-së i ndalohet shitja e SUV-it Ti7 në BE pas vendimit për kopjimin e dizajnit të Land Rover Defender

Jaguar Land Rover (JLR) ka fituar një raund të rëndësishëm në betejën ligjore kundër prodhuesit kinez të veturave BYD. Gjykata e Qarkut në Hagë vendosi të premten se modeli SUV Ti7 i BYD-së shkel të drejtat e dizajnit të regjistruar të JLR-së në Bashkimin Evropian.
Si rrjedhojë, gjykata i ka ndaluar kompanisë kineze importimin, prodhimin, shitjen apo tregtimin e këtij modeli në të gjitha vendet e BE-së, transmeton Telegrafi.

Ti7 është një SUV hibrid plug-in, me pesë ose shtatë ulëse, të cilin BYD e prezantoi në Kinë vitin e kaluar dhe po përgatitej ta lansonte edhe në tregjet ndërkombëtare.
Dizajni i tij, me karroceri këndore, dritare vertikale, çati të rrafshët dhe gomë rezervë të vendosur në pjesën e pasme, ngjason dukshëm me gjeneratën moderne të Land Rover Defender.

Avokatët e BYD-së argumentuan se të dy modelet kanë dallime të shumta, duke përmendur fenerët, grilën, parakolpin, kapakun e motorit, dritaret dhe harqet e rrotave.
Megjithatë, gjykata nuk i pranoi këto argumente, duke vlerësuar se dallimet nuk janë të mjaftueshme për të krijuar një përshtypje të përgjithshme të ndryshme.

Sipas vendimit, dizajni i Defender-it karakterizohet nga disa elemente të veçanta, përfshirë format e rrumbullakosura të pjesëve anësore dhe qosheve, panelin karakteristik në shtyllën C, harqet e rrumbullakosura të rrotave dhe vijën e vazhdueshme të xhamave. Gjykata konstatoi se këto karakteristika i japin modelit një pamje të dallueshme, të cilën BYD Ti7 e cenon.
Çështja lidhet me një dizajn të regjistruar në BE në vitin 2018, një vit para prezantimit publik të gjeneratës aktuale të Defender-it.

Kjo është e rëndësishme pasi JLR u mbështet në regjistrimin e mëhershëm të dizajnit, e jo vetëm në pretendimin se BYD kishte kopjuar modelin që tashmë ishte në prodhim.
Sipas vendimit, filialet evropiane të BYD-së kanë një javë kohë nga marrja e aktgjykimit për të ndalur çdo veprim që cenon të drejtat e dizajnit të JLR-së. Ndalimi përfshin importimin, prodhimin, reklamimin, shitjen, magazinimin, shpërndarjen dhe çdo formë tjetër të komercializimit të Ti7 në BE.

Mosrespektimi i vendimit mund t’i kushtojë kompanisë 100 mijë euro për çdo ditë ose pjesë të ditës gjatë së cilës vazhdon shkelja. Si alternativë, JLR mund të kërkojë 25 mijë euro për çdo shkelje, deri në një shumë maksimale prej 10 milionë eurosh.
Megjithatë, ekziston një rrethanë e rëndësishme: BYD Ti7 ende nuk është në shitje në tregun e BE-së dhe kompania i kishte thënë gjykatës se nuk kishte plane konkrete për ta lansuar atje.

Gjykata e vendosi ndalimin pjesërisht për shkak se BYD nuk pranoi të merrte përsipër zotimin se nuk do të hynte në këtë treg. Prandaj, vendimi është më shumë një masë parandaluese ndaj një lansimi të mundshëm sesa reagim ndaj një aktiviteti aktual të shitjeve.
Vendimi është paraprak dhe jo domosdoshmërisht fjala e fundit në këtë përballje ligjore. JLR ka gjashtë muaj kohë për të nisur procedurat kryesore gjyqësore nëse dëshiron ta vazhdojë çështjen.

JLR nuk arriti të fitojë të gjitha kërkesat e saj. Gjykata refuzoi kërkesën për ndalimin e shitjes së modelit në Mbretërinë e Bashkuar dhe deklaroi se nuk kishte kompetencë të vendoste për filialin britanik të BYD-së. Kjo ka rëndësi pasi Ti7 tashmë mund të porositet në Britani, ndërsa dërgesat e para pritet të fillojnë në janar.
Gjykata gjithashtu refuzoi kërkesat e JLR-së për qasje në dokumentet e sekuestruara nga BYD, informacione mbi shpërndarjen e SUV-it dhe publikimin e një njoftimi për vendimin në faqet zyrtare të kompanisë kineze.

Për momentin, BYD mund të vazhdojë planet e saj për tregun britanik, por përballet me pengesë ligjore në Bashkimin Evropian, përveç nëse arrin ta rrëzojë vendimin përmes ankesës ose të gjejë një zgjidhje tjetër me JLR-në.
BYD ka kundërshtuar fuqishëm vendimin dhe ka paralajmëruar se do të ankohet. Në një deklaratë për Reuters, kompania këmbënguli se Ti7 është zhvilluar në mënyrë të pavarur dhe nuk shkel asnjë të drejtë të pronësisë intelektuale të JLR-së.

“BYD Ti7 është rezultat i punës sonë të pavarur në dizajn dhe nuk cenon asnjë të drejtë të JLR-së. Do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për të dëshmuar se ky vendim është i gabuar”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Ankesa mund ta zgjasë edhe më tej përplasjen ligjore, ndërsa ndalimi i vendosur nga gjykata holandeze mbetet në fuqi deri në një ndryshim të mundshëm të vendimit. /Telegrafi/











































