Kryeministri Edi Rama bëri një koment që u interpretua si referencë ndaj protestave studentore në Tiranë, gjatë takimit me të rinj shqiptarë dhe përfaqësues të universiteteve në Manastir, ku përmbylli vizitën e tij në kuadër të 118-vjetorit të Kongresit të Alfabetit.
Teksa po duartrokitej nga të rinjtë e pranishëm, Rama tha se një pritje e tillë nuk është e zakonshme për të në këtë periudhë, duke iu referuar, pa përmendur drejtpërdrejt protestat, tensioneve mes atyre që mbështesin dhe atyre që kundërshtojnë.
“Të marrësh duartrokitje sot nga të rinjtë nuk është diçka që ndodh përditë për mua. Ju e dini këtë. Sepse ka gjithmonë të rinj që duartrokasin dhe që nuk duartrokasin, që entuziazmohen dhe që hidhërohen. Sot është një kohë e veçantë, sepse ata që duan të duartrokasin tremben nga ata që gjuajnë me gurë. Ata që duan të flasin tremben nga ata që nuk duan të flasin. Për shkak të kësaj specifike, të një kohe që është shumë kalimtare, duartrokitjet janë më të mirëpritura se zakonisht”, u shpreh kryeministri.
Pjesën më të madhe të fjalës së tij, Rama ia kushtoi rëndësisë së gjuhës shqipe dhe ruajtjes së saj si një element themelor i identitetit kombëtar. Ai kujtoi sakrificat e brezave që punuan për mbijetesën dhe trashëgiminë e shqipes, duke përmendur ndër të tjera Parashqevi Qiriazin, patriotët e Kongresit të Manastirit dhe mësuesit që vazhdojnë të mësojnë gjuhën shqipe në diasporë.
Kryeministri veçoi edhe kontributin e Arbën Xhaferit për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, ndërsa e cilësoi gjuhën shqipe si një pasuri të përbashkët që kërkon kujdes dhe përkushtim për t’u ruajtur e pasuruar.
Rama paralajmëroi se zhvillimet e teknologjisë digjitale dhe përdorimi gjithnjë e më i madh i anglishtes po krijojnë sfida të reja për gjuhën shqipe. Ai kritikoi përdorimin e shkurtimeve në komunikimin e përditshëm, si “Flm” dhe “Klm”, si dhe lënien pas dore të ë-së, ç-së dhe shenjave të pikësimit.
Sipas tij, kjo mënyrë komunikimi rrezikon të varfërojë fjalorin dhe të kufizojë aftësinë e njerëzve për t’u shprehur. Ai theksoi se mbrojtja e shqipes kërkon angazhim të përbashkët, veçanërisht nga të rinjtë, institucionet dhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
“Një kopsht, më i madhi që së bashku ne kemi, kopsht xhevahiresh që duhet punuar. Që duhet kultivuar dhe pastruar, për t’u pasuruar dhe trashëguar”, u shpreh Rama, duke e krahasuar gjuhën shqipe me një pasuri që duhet mirëmbajtur nga çdo brez.
Ai nënvizoi se, pavarësisht dallimeve në mënyrën e përdorimit të shqipes në Tiranë, Prishtinë, Tetovë apo në diasporë, gjuha mbetet e përbashkët dhe ruajtja e saj kërkon përpjekje të vazhdueshme.


