Shefi i inteligjencës amerikane: Putini nuk është mik i SHBA-së kur bëhet fjalë për Ukrainën

Vladimir Putin nuk është mik i Shteteve të Bashkuara sa i përket çështjes së Ukrainës, ka deklaruar drejtori i Inteligjencës Kombëtare amerikane, Jay Clayton.
Në një intervistë për ABC News, Clayton u shpreh se presidenti rus nuk është aleat i Washingtonit në këtë çështje. Deklarata e tij vjen vetëm pak ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, foli me tone miqësore për kreun e Kremlinit.
“Putini nuk është mik i Amerikës kur bëhet fjalë për Ukrainën. Aspak”, tha Clayton, transmeton Telegrafi.
Gjatë samitit të APEC-ut këtë javë, Trump e kishte cilësuar Putinin si “mikun tim”.
Clayton tha se ky përshkrim ishte “plotësisht i përshtatshëm”, duke marrë parasysh kontekstin e takimit, ku diskutoheshin çështje mes liderëve të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë.
Të enjten, Trump mbrojti vendimin për ta quajtur mik presidentin rus, duke argumentuar se është më mirë të kesh marrëdhënie miqësore me një person që zotëron rreth 4,000 armë bërthamore sesa ta kesh atë armik.
“Është mirë të kesh si mik dikë që ka 4,000 armë bërthamore, në vend që ta kesh armik”, deklaroi Trump.
Megjithatë, kur u pyet sërish të premten nëse Putini është mik i SHBA-së në tërësi, presidenti amerikan shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë.
“Nuk mund të flas në emër të Amerikës”, tha ai.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u pyet për komentet e Trumpit, por reagoi vetëm duke ngritur supet dhe më pas u largua pa dhënë përgjigje. /Telegrafi/

































