22 Nëntori, Dita përkujtimore e Alfabetit tonë na sjell ndërmend se sa i rëndësishëm ishte ai Kongres i vitit 1908, për pavarësinë e Shqipërisë dhe mbarëvajtjen e gjuhës shqipe. Njësimi i Alfabetit krijoi kushtet e përshtatshme për sanksionimin e gjuhës shqipe si gjuha zyrtare e vendit.

Ditën e parë që Shqipëria filloi jetën si shtet i pavarur, më 28 Nëntor 1912, gjuha zyrtare u bë shqipja. Këtë e fakt e njohim përmes lajmit të gazetës “Përlindja e Shqypënies, e cila ishte organi zyrtar i Qeverisë së Vlorës: “Pas dëshirës dhe n’emër të zotënies së Tij Kryetarit të Qeverisë, botojmë këtë lajmërim: Duhet që të gjithë ta dijnë mirë se, q’në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vete, gjuha shqipe u bë gjuha zyrtare e vendit….” (30 gusht 1913). Ky njoftim u botua disa herë rresht në këtë gazetë: “…Për ta përhapur sa ma shumë ma të bukurin urdhër që ka dhanë Qeverria gjer më sot, por botojmë përsëri” (Përlindja e Shqipënies, lajmim, Vit’ i I, N.7, E mërkurë, 21/3, Vjesht’ e I, 1913). Duket si një urdhër i Qeverisë së Përkohshme me fuqi prapavepruese, që i jep fuqi vetes nga dita e parë kur u shpall pavarësia e Shqipërisë, pra nga 28 Nëntori i vitit 1912. Por, përdorimi i shqipes si gjuhë zyrtare në administratën e re të pavarur ndeshi në vështirësi të mëdha praktike. Kjo, për shkak të mospërgatitjes së punonjësve me gjuhën e shkruar shqipe, si rezultat i politikave mohuese dhe mospërdorimit të saj në formë të shkruar gjatë shekujve të rëndë të pushtimit. Për këtë, atdhetari Mihal Grameno shkruante: “Qeveria ka një detyrë për të mbushur, edhe këjo detyrë është që të rrefenjë një kohë të shkurtër në të cilën duhet të mësojnë nënpunësit gjuhën kombëtare, tjatrësoj do të zënë vëndet të tjerët që meritojnë.” Kurse, atdhetari Kristo Floqi, e drejtonte vëmendjen ndaj Gjyqësorit, duke shprehur shqetësimin për vështirësitë e zbatimit të këtij urdhëri: “Guverna dhe veçanërisht ministori’ e drejtësiës dha urdhër akoma të përdoret edhe gjuha Shqip, si gjuhë zyrtare nëpër zyrat offiqiale, por mjerisht ky urdhër mbet vetëm i shkruar më kartë dhe as fare i zbatuar në vepërim.” (Përlindja e Shqipënies, Vit’ i I, N.7, E mërkurë, 21/3, Vjesht’ e I, 1913). Prandaj Qeveria e Vlorës mori masa duke vendosur provimin e gjuhës shqipe për nëpunësit në administratë dhe një kohë të caktuar për të mësuar mirë shqipen për të gjithë ata punonjës që dëshironin të mbanin funksionin (Përlindja e Shqipënies, 30 gusht 1913).

Sot, gjuha shqipe është sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë si gjuha zyrtare e vendit (neni 14.1). Në kuptim të nenit 14, pika 1 të Kushtetutës, shqipja është një gjuhë tërësisht efektive që ofron një bazë për komunikim të drejtpërdrejtë midis qytetarëve dhe administratës publike, është gjuha që përdorin të gjitha institucionet, gjuha që përdoret në gjykata dhe institucionet e tjera të drejtësisë, gjuha që përdoret në arsim, etj. Përpos Shqipërisë, gjuha shqipe si gjuhë zyrtare është sanksionuar edhe në Kosovë. Një status i veçantë i saj si gjuhë zyrtare buron nga Kushtetuta edhe në Maqedoninë e Veriut e në Mal të Zi.

Në rrugëtimin kushtetues, ajo u sanksionua si gjuhë zyrtare që në Statutin Organik të Shqipërisë (1914), i cili u hartua nga Fuqitë e Mëdha: “Gjuha zyrtare e vendit është gjuha shqipe. Megjithatë, përdorimi i gjuhëve të tjera që fliten në vend, do të mund të lejohet, në trajtë ndihmëse dhe të përkohshme, në ato organe administrative që do të autorizohen posaçërisht për këtë nga qeveria” (pika 26). Ky statut nuk u zbatua ndonjëherë, megjithatë, edhe Princ Vidi bëri përpjekje të mësonte gjuhën shqipe.

Më tej, gjuha shqipe u rishpall si gjuhë zyrtare në Statutin e Zgjeruar të Lushnjës (1922) e më tej, në të gjitha statutet pasardhëse të Shqipërisë sovrane. Kurse, gjatë regjimit komunist, kushtetutat e vitit 1946 dhe 1976 e njihnin shprehimisht gjuhën shqipe si gjuha që përdorej në gjykata, në kuadrin e procesit gjyqësor.

Në të drejtën Kushtetuese, miratimi i një gjuhe të vetme zyrtare shihet si promovim i disa qëllimeve të gjera. Një gjuhë e vetme zyrtare ofron një bazë për komunikim të drejtpërdrejtë midis qytetarëve dhe administratës publike, e domosdoshme në një shtet demokratik. Ajo krijon një platformë të përbashkët për politikë demokratike, të lidhur ngushtë edhe me ushtrimin të drejtës universale të votës dhe zgjedhjeve të rregullta e periodike. Kushtetutat bashkëkohore në përgjithësi, angazhohen për të përcaktuar gjuhën/gjuhët zyrtare të vendit, si dhe të drejtat gjuhësore. Në 156 vende gjuha zyrtare është njohur në Kushtetutë, ndërsa në disa vende, statusi i gjuhës zyrtare përcaktohet në ligje. Ka mjaft shtete që njohin disa gjuhë zyrtare në vend. Vetëm një numër i vogël shtetesh nuk e përcaktojnë fare një gjuhë zyrtare. (Sujit Choudhry and Erin C. Houlihan, 2021). Përvojat që ofrojnë vendet e botës janë të ndryshme falë edhe karakteristikave e traditave të vendit.

Nga ana tjetër, Kushtetuta njeh dhe mbron edhe të drejtat gjuhësore të pakicave. Ajo siguron bashkëjetesën dhe mirëkuptimin e shqiptarëve me pakicat, që përbën një nga vlerat themelore kushtetuese dhe bazat e këtij shteti (neni 3). Kështu, pakicat kanë të drejtë të mësohen dhe të mësojnë në gjuhën e tyre amtare (neni 20). Një kuptim lidhet ngushtë edhe me garantimin e të drejtave gjuhësore në procesin gjyqësor, në rastin kur subjektet nuk e njohin gjuhën shqipe (neni 31/c).

Një rëndësi të veçantë merr edhe neni 59/g i Kushtetutës së Shqipërisë, që sanksionon synimin e shtetit për “kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe”. Kujdesi për gjuhën shqipe shfaqet si një objektiv social për shtetin dhe kërkon prej tij marrjen e masave të përshtatshme për mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës. Në këtë aspekt, forcimi i rolit të institucioneve arsimore e shkencore është i domosdoshëm. Prandaj, përmirësimi i ligjeve në fushën e drejtësisë dhe të arsimit mbetet detyrë e vazhdueshme. Ky objektiv lidhet ngushtë edhe me nenin 8 të Kushtetutës, i cili vendos detyrën e shtetit shqiptar për t’u siguruar ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare. Edhe në këtë aspekt, është e domosdoshme ndërmarrja e masave pozitive nga shteti për mbrojtjen, ruajtjen dhe mësimin e gjuhës shqipe edhe jashtë vendit. Bashkëpunimi për gjuhën shqipe është i domosdoshëm me vendet ku flitet shqip, përfshirë vendet ku jeton diaspora shqiptare.

Ka një debat sot, veçanërisht midis gjuhëtarëve, në lidhje me një ligj të posaçëm për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Ka gjuhëtarë që mendojnë se një ligj i tillë është i nevojshëm që të rregullojë shprehimisht përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe të garantojë këtë përdorim. Por ka edhe gjuhëtarë, që e kundërshtojnë një ligj për gjuhën, pasi e shohin atë si një formë diktati të papranueshme për rendin demokratik në të cilin jetojmë. Duke ndjekur këtë debat, duket se mosmarrëveshja qëndron në lidhje me nevojën për një ligj formal të miratuar nga Kuvendi. Por, rregullime ligjore të ndryshme mund të jenë të domosdosdoshme, përndryshe nuk realizojmë dot objektivin kushtetues për “kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe”. Në këtë ditë përkujtimore, sjellim në vëmendje se kemi nevojë të analizojmë se ku kemi arritur me objektivat kushtetuese për kujdesin e veçantë të shtetit ndaj gjuhës shqipe. Një analizë e zhvillimeve në këtë fushë do të na shërbente për të kërkuar nga qeveria masa të tjera efikase. Prandaj, do të dëshiroja që me leximin e këtij shkrimi, jo vetëm të trajtojmë gjuhën zyrtare si një reflektim historik e juridik, por edhe të nxisim debatet për masat e veçanta të qeverisë për “kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe”, në vijim.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb