Një alarm ajror është aktivizuar këtë të diel në Rumani, pasi radarët ushtarakë zbuluan një objektiv ajror rreth 30 kilometra në veri të qytetit ukrainas Vylkove, pranë kufirit mes dy vendeve.

Në përgjigje të situatës, dy avionë luftarakë F-18 dhe dy helikopterë NH-90 të Forcave Ajrore dhe Hapësinore Spanjolle u ngritën nga Baza Ajrore 57 Mihail Kogalniceanu. Mjetet ajrore ndodheshin në gatishmëri për misionin e policimit ajror, në kuadër të pranisë së NATO-s në krahun lindor të Aleancës.

Ministria rumune e Mbrojtjes bëri të ditur se, pas zbulimit të objektivit, Qendra Kombëtare e Komandës Ushtarake njoftoi Inspektoratin e Përgjithshëm për Situatat e Emergjencave, me qëllim aktivizimin e masave të alarmimit për banorët në veri të qarkut Tulcea.

Në orën 15:06 u dërgua një mesazh përmes sistemit RO-Alert, për të informuar popullsinë lidhur me situatën. Alarmi ajror u hoq në orën 15:42.

Autoritetet rumune konfirmuan se nuk u raportuan shkelje të hapësirës ajrore të vendit dhe nuk dhanë detaje të mëtejshme për natyrën apo origjinën e objektivit të zbuluar nga radarët.

Incidente të tilla janë përsëritur në zonat kufitare të Rumanisë që prej nisjes së luftës në Ukrainë, për shkak të sulmeve ajrore dhe përdorimit të dronëve pranë kufirit. Bukureshti ka raportuar në disa raste zbulimin e mjeteve ajrore dhe ka ngritur në fluturim avionë luftarakë të NATO-s për monitorimin e situatës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb