
Dhjetëra mijëra persona marshuan në qytete të ndryshme të Francës për të shtunën e gjashtë radhazi, duke protestuar kundër rritjes së kostos së jetesës, përkeqësimit të shërbimeve publike dhe legjislacionit të miratuar së fundmi për mbrojtjen e policisë, i njohur gjerësisht si “ligji që u jep licencë për të vrarë”.
Lëvizja nisi me protesta studentore në shtator, përpara se të zgjerohej duke përfshirë sindikatat, partitë e majta dhe aktivistët e Jelekëve të Verdhë.
Të premten, Senati miratoi një ligj të debatueshëm që zgjeron mbrojtjen ligjore për punonjësit e policisë që përdorin armët e tyre. Kritikët argumentojnë se ky ligj mund ta bëjë më të vështirë hetimin e rasteve të plagosjes apo vrasjes me armë zjarri nga policia dhe mbajtjen e efektivëve përgjegjës, ndërsa mbështetësit thonë se ai i mbron ata nga dyshimet automatike për shkelje të ligjit.
Ministria e Brendshme raportoi 144 arrestime në të gjithë vendin deri në orën 18:00 të së shtunës dhe vlerësoi pjesëmarrjen në 82.500 persona, nga 106.000 që ishin regjistruar fundjavën e kaluar. Organizatorët vlerësuan se në protesta morën pjesë 150.000 demonstrues.
Protestat pasqyruan pakënaqësinë në rritje të të rinjve për kostot e strehimit, arsimin dhe standardet e jetesës.
“Në një sërë vendesh, të rinjtë po përballen me të njëjtën gjë, konkretisht me pasigurinë ekonomike. Duhet të zgjedhësh mes të pasurit një çati mbi kokë, marrjes së kujdesit mjekësor dhe mundësisë për t’u ushqyer sa duhet”, tha për AFP-në Manon Moret, sekretarja e përgjithshme e sindikatës studentore Unef.
Në Paris, mijëra persona u mblodhën në sheshin Place de la République, përpara se të marshonin drejt lindjes, në drejtim të Place de la Nation. Ata mbanin pankarta me mbishkrimet “Dua të jetoj, jo thjesht të mbijetoj” dhe “Jo ligjit që jep licencë për të vrarë”. U vendosën edhe gurë varri simbolikë, që përfaqësonin vdekjen e shërbimeve publike, si arsimi dhe sigurimet shoqërore.
Tensionet u përshkallëzuan rreth orës 18:00, pranë fundit të marshimit, pasi raportohet se ndaj efektivëve u hodhën sende të forta. Policia ndërhyri duke sulmuar demonstruesit dhe kreu arrestime. Videot e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë përplasje me policinë e trazirave; një efektiv duket se është plagosur.
Një tjetër video tregon një protestues që arrin t’u shpëtojë rreth një duzine efektivësh, të cilët po përpiqeshin ta ndalonin. Për shpërndarjen e turmës së mbetur u përdor gaz lotsjellës, ndërsa pamjet tregojnë një hyrje metroje të mbuluar nga re të dendura gazi.
Në Marsejë, shpërthyen përplasje mes demonstruesve dhe forcave të sigurisë. Protestuesit hodhën sende të forta drejt efektivëve, ngritën barrikada dhe u vunë flakën koshave të mbeturinave. Gjithashtu, dy automjete morën flakë.
Në Tuluzë, protestuesit hynë në qendrën e qytetit pavarësisht kufizimeve, ndërsa pranë strukturave të ngritura për tregun e Krishtlindjeve shpërthyen përplasje. Policia përdori gaz lotsjellës dhe ndaloi rreth 20 demonstrues. Në zonë u raportuan akte vandalizmi.
Në Bordo, shpërthyen përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, ndërsa në pamjet që qarkullonin në internet dëgjoheshin shpërthime të forta. U raportuan barrikada në flakë dhe dëmtime të pronës. Autoritetet thanë se nëntë efektivë u plagosën dhe 17 persona u arrestuan.
Sindikatat dhe aktivistët bënë thirrje për protesta të tjera në javët në vijim, ndërsa pjesëmarrësit u zotuan se do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
“Do të jemi aty javën e ardhshme, edhe javën pas saj dhe për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha Avril Bas, 27 vjeçe, e cila mori pjesë në marshimin në Paris.
Të paktën 31 persona janë plagosur rëndë nga forcat e sigurisë që prej fillimit të protestave, sipas një përllogaritjeje të AFP-së, bazuar në dëshmitë e personave të pranishëm, të avokatëve dhe të dhënat e organizatave joqeveritare. Autoritetet nuk kanë publikuar një shifër zyrtare.
Protestat e mëparshme janë shoqëruar gjithashtu me grabitje, zjarrvënie dhe përplasje të dhunshme me policinë e trazirave. Pas miratimit të ligjit, ministri i Brendshëm Laurent Nunez u kërkoi autoriteteve rajonale të qëndronin “veçanërisht vigjilente ndaj grupeve më armiqësore ndaj forcave të rendit”.
Protesta të ngjashme janë zhvilluar në të gjithë Evropën, ku aktivistët kanë organizuar demonstrata në më shumë se 20 vende, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Spanjën dhe Britaninë, kundër rritjes së kostos së jetesës, shkurtimeve në arsim, militarizimit në rritje dhe planeve për rekrutimin ushtarak, shkruan Rt.
Të shtunën, mijëra persona marshuan në Lisbonë për të kërkuar paga më të larta, strehim të përballueshëm dhe shërbime publike më të mira. Protestuesit në Barcelonë kërkuan përmirësime në fushën e strehimit dhe arsimit.