Spektakël në Bergamo, Atalanta dhe Inter ndajnë nga një pikë pas tetë golash në total

Spektakël në Bergamo, Atalanta dhe Inter ndajnë nga një pikë pas tetë golash në total

23:57, 22/11/2026

Një ndeshje e jashtëzakonshme është zhvilluar në “New Balance Arena”, ku Atalanta dhe Interi kanë barazuar 4-4 në përballjen e vlefshme për javën e 12-të të Serie A. Zikaltrit e drejtuar nga Cristian Chivu shpërdoruan dy herë avantazhin prej dy golash, ndërsa protagonist absolut ishte Pio Esposito, autor i një tregolëshi historik, që nuk mjaftoi për të siguruar fitoren.

Interi e nisi më mirë takimin dhe kaloi në avantazh në minutën e 15-të me Pio Espositon, i cili përfitoi nga një asistim i Barella-s. Sulmuesi italian goditi sërish në shenjë, duke dyfishuar rezultatin pas një goditjeje me kokë në zonë.

Atalanta reagoi dhe ngushtoi diferencën me Elmas, i cili shfrytëzoi pasimin e Zalewskit për të mposhtur portierin Martinez. Pjesa e parë u mbyll 2-1 për miqtë, të cilët humbën edhe shërbimet e Calhanoglu për shkak të një problemi fizik.

Në pjesën e dytë, Esposito kompletoi tregolëshin e tij të parë me fanellën e Interit dhe në Serie A, duke rikthyer avantazhin e dy golave pas asistimit të Thuram. Megjithatë, Atalanta nuk u dorëzua dhe De Ketelaere shënoi me kokë pas një goditjeje këndi, duke rihapur takimin.

Interi reagoi menjëherë dhe fitoi një penallti, pasi Zappacosta preku topin me dorë pranë vijës së portës. Nga pika e bardhë, Sucic u tregua i saktë dhe vendosi rezultatin 4-2 për skuadrën e Chivu.

Por spektakli nuk kishte përfunduar. De Ketelaere realizoi golin e dytë personal, duke ngushtuar sërish diferencën, ndërsa në minutat e fundit Atalanta fitoi një tjetër penallti. Këtë herë ishte Bastoni që preku topin me dorë pas goditjes me kokë të belgut. Kessie mori përsipër ekzekutimin dhe vendosi rezultatin përfundimtar 4-4.

Një barazim me shije fitoreje për Atalantën, që rikuperoi dy herë disavantazhin prej dy golash, ndërsa Interi humbi dy pikë të rëndësishme në garën për kreun. Pas javës së 12-të, Lazio mbetet në krye, Interi zbret në vendin e tretë, ndërsa Atalanta renditet e 12-ta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco