22 Nëntori, Dita e Alfabetit/ Ambasadori Meidani: Kufiri me një ndalesë, muzeu në Manastir merr për herë të parë kujdesin e plotë të shtetit shqiptar

23/11/2026 00:06

Prej 22 nëntorit, qytetarët që udhëtojnë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ndalojnë vetëm një herë për kontrollin kufitar, falë hyrjes në fuqi të sistemit ‘One Stop Shop’, i cili bashkon procedurat e autoriteteve të të dyja vendeve në një pikë të përbashkët

Sistemi u përurua në Qafë Thanë nga kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij maqedonas, Hristijan Mickoski. Gjatë ceremonisë, Rama e përmblodhi ndryshimin me shprehjen “nga kontrollo, kontrollo te beso dhe kontrollo”.

Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, e ka cilësuar hyrjen në fuqi të sistemit “One Stop Shop” si përmbushjen e një angazhimi të marrë ndaj qytetarëve për lehtësimin e kalimit kufitar. “Një premtim që u bë realitet”, është shprehur Meidani, duke theksuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për familjet që udhëtojnë mes dy vendeve, studentët, emigrantët dhe transportuesit, të cilët pritet të përfitojnë nga reduktimi i kohës së pritjes në kufi.

Nisja e zbatimit të sistemit përkon me 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip, që shënon përvjetorin e përfundimit të Kongresit të Manastirit në vitin 1908.

Në këtë kuadër, një tjetër zhvillim lidhet me Shtëpinë-Muze të Alfabetit në Manastir, godinën historike ku u mblodhën delegatët e Kongresit. Shteti shqiptar ka ndërmarrë një investim për restaurimin dhe mirëmbajtjen e saj, me synim ruajtjen dhe promovimin e kësaj pjese të rëndësishme të trashëgimisë kombëtare.

Nisma është koordinuar edhe nga Ambasada e Shqipërisë në Shkup, ndërsa ambasadori Meidani e ka cilësuar më herët muzeun si “shtëpia e gjithë shqiptarëve”.

Këto dy zhvillime vijnë në javët e fundit të mandatit të Denion Meidanit si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut. Ai pritet të marrë drejtimin e Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, duke përfunduar misionin diplomatik në Shkup në një periudhë kur po konkretizohen marrëveshje për lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare dhe nisma për ruajtjen e trashëgimisë historike shqiptare.

 

Top Channel