Monday / November 23 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi TOP 200 Business Forum

Forumi i Monitor, TOP 200 bizneset: Nga do të vijë rritja

Share Share Icon

Forumi TOP 200 i “Monitor” e çoi renditjen vjetore të kompanive më të mëdha nga faqet e revistës në një debat mes sipërmarrësve, institucioneve dhe financuesve për të ardhmen e ekonomisë shqiptare. Për herë të parë, forumi vuri përballë renditjet e kompanive në të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, duke i dhënë debatit një bazë për të krahasuar se cilët sektorë gjenerojnë xhiron dhe punësimin. Debati për qëndrueshmërinë e rritjes vuri në qendër investimet dhe eksportet, në një ekonomi ku taksat neto dhe administrata publike dhanë pjesën më të madhe të rritjes së vitit 2025. Prodhuesit kërkuan konsultim përpara ndryshimeve fiskale, ndërsa u duhet të investojnë për të përmbushur standardet e tregut europian. Siguruesit u shprehën të gatshëm të bashkojnë kapacitetet për një skemë kombëtare kundër katastrofave natyrore

 

Nertila Maho

Tregtia dhe ndërtimi gjeneruan gati 70% të xhiros së 200 kompanive më të mëdha në Shqipëri në vitin 2025. Përqendrimi i të ardhurave në sektorë që nuk gjenerojnë punësim dhe vlerë të shtuar ishte pikënisja e një debati më të gjerë në TOP 200 Business Forum: nga do të vijë rritja e ardhshme dhe sa të përgatitura janë kompanitë shqiptare për të konkurruar në tregun europian?

Forumi “E ardhmja e ekonomisë”, i organizuar nga “Monitor” në Tiranë më 19 nëntor, e çoi renditjen vjetore nga faqet e revistës në një diskutim mes sipërmarrësve, institucioneve dhe financuesve. Për herë të parë, renditja e kompanive shqiptare u vu përballë renditjeve të kompanive më të mëdha në pesë ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Krahasimi rajonal e zhvendosi vëmendjen nga xhiroja e kompanive te burimet e rritjes së ekonomisë. Në panelin e parë, investimet dhe eksportet ishin në qendër të diskutimit se sa i qëndrueshëm është ritmi i rritjes së Shqipërisë dhe sa konkurruese janë bizneset e saj në rajon.

Tek industria përpunuese, konkurrueshmëria mori një kuptim më konkret: si të krijojnë kompanitë më shumë vlerë në vend dhe të integrohen në tregun europian. Paneli i dytë e lidhi këtë sfidë me ndikimin që ka paketa fiskale mbi vendimet e bizneseve.

Por as xhiroja, as ritmi i rritjes nuk tregojnë sa humbje mund të përballojë një kompani kur goditet nga një dëm. Paneli i tretë nisi me ecurinë e tregut të sigurimeve në vitin 2025, çfarë mbulojnë produktet e sotme dhe si mund të zgjerohet përdorimi i tyre nga bizneset dhe individët.

 

 

Ekonomia shqiptare me rritjen më të ulët në rajon, pa rolin e taksave dhe administratës publike

Shqipëria kryesoi Ballkanin Perëndimor me një rritje ekonomike prej 3,66% në vitin 2025.

Por, nëse nga llogaritja hiqen kontributet e taksave neto dhe të administratës publike, nga ajo rritje mbeten vetëm rreth 0,85 pikë përqindjeje. Në krahasimin e prezantuar në hapje të TOP 200 Business Forum nga Kryeredaktorja e revistës “Monitor”, Ornela Liperi, Shqipëria kalonte kështu nga vendi i parë në të fundit në rajon.

Epërsia në vitin e shkuar ishte e ngushtë që në renditjen fillestare. Kosova u rrit me 3,62%, Maqedonia e Veriut me 3,5% dhe Mali i Zi me 3,3%. Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia shënuan përkatësisht 2,4% dhe 2%. Në Shqipëri, taksat neto dhanë 1,15 pikë përqindjeje në rritjen e PBB-së, ndërsa administrata publike kontribuoi me 1,65 pikë, kryesisht si pasojë e rritjes së pagave.

“Nëse këta faktorë zbehen, ndërsa sektorët privatë dhe prodhues nuk përshpejtohen, ritmi i rritjes mund të dobësohet ndjeshëm”, tha Ornela Liperi gjatë prezantimit që i parapriu panelit të parë.

Forumi “E ardhmja e ekonomisë”, i organizuar nga “Monitor” në bashkëpunim me Shoqatën e Manifakturës, mori shkas nga renditjet vjetore të kompanive shqiptare sipas të ardhurave dhe fitimeve.

Pas gati dy dekadash botimi, analiza u zgjerua për herë të parë me renditjet e 50 deri në 100 kompanive më të mëdha në secilën prej gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor. Krahasimi i dha debatit një pikënisje konkrete: cilat aktivitete dominojnë biznesin në Shqipëri dhe si ndryshon pesha e tyre në xhiro e punësim nga ajo në vendet fqinje?

Dyqind kompanitë më të mëdha në Shqipëri realizuan 1,47 trilionë lekë të ardhura në vitin 2025, ose rreth 15 miliardë euro.

Gati 70% e xhiros erdhi nga tregtia dhe ndërtimi. Për rreth 40% të kompanive, shpenzimet për personelin përbënin më pak se 5% të të ardhurave. Në shumë raste bëhet fjalë për tregtarë dhe distributorë që qarkullojnë vëllime të mëdha mallrash me relativisht pak punonjës.

Sipas të dhënave të prezantuara në forum, Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku ndërtimi ka peshë më të madhe në ekonomi se industria.

Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kryesuan rritjen e vlerës së shtuar në vitin 2025, të ndjekura nga administrata publike. Turizmi nxiti rritjen në akomodim dhe shërbim ushqimor, ndërsa industria përpunuese ishte tkurrur për nëntë tremujorë radhazi, duke nisur nga fundi i vitit 2023.

Dallimi në strukturën e biznesit ishte i dukshëm në krahasimin me Maqedoninë e Veriut. Atje, dhjetë kompanitë më të mëdha, pa bankat, realizuan 5,2 miliardë euro të ardhura dhe punësuan rreth 20 mijë vetë. Vetëm tri kompani të industrisë së automobilave, Johnson Matthey, Kromberg & Schubert dhe VDL Bus, zinin 42% të punësimit të këtij grupi.

Në Shqipëri, ndonëse ekonomia ishte rreth 60% më e madhe, dhjetëshja e parë pa bankat realizoi gati 4 miliardë euro të ardhura dhe punësoi rreth 13 mijë vetë. Rreth 60% e tyre punonin në dy kompanitë shtetërore të prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike.

Ekonomia shqiptare me rritjen më të ulët në rajon, pa rolin e taksave dhe administratës publike

 

Biznesi kërkon një model të qartë për rritjen

 

Shqipëria ka rritur të ardhurat për frymë nga rreth 23% në 43% të mesatares së Bashkimit Europian, sipas Bankës së Shqipërisë.

Për ta ngushtuar më tej hendekun, përfaqësuesit e biznesit në TOP 200 Business Forum vunë në diskutim jo vetëm sa investime mund të tërheqë vendi, por edhe se ku do të shkojë kapitali: drejt aktiviteteve që përfitojnë nga avantazhet fiskale apo drejt atyre që rrisin produktivitetin dhe krijojnë eksporte me vlerë më të lartë.

Dyqind kompanitë e renditjes realizuan rreth 1,5 trilionë lekë xhiro dhe 170 miliardë lekë fitime në vitin 2025, tha Evis Karandrea, drejtore ekzekutive e Union Grup, në hapje të forumit. Por një xhiro më e lartë nuk sjell vetvetiu më shumë produktivitet, vende pune më cilësore apo biznese më konkurruese. P

ër të rritur produktivitetin, znj. Karandrea e vuri theksin tek investimet në teknologji dhe në kualifikimin e punonjësve, si dhe te nevoja për rregulla fiskale e rregullatore të parashikueshme.

Biznesi kërkon një model të qartë ekonomik, integrim europian dhe investime në produktivitet

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se ekonomia është rritur me rreth 4%, inflacioni është mbajtur pranë objektivit prej 3% dhe borxhi publik ka ndjekur një trajektore rënëse. Sfida, sipas tij, është që afrimi me standardet e BE-së të shoqërohet me reforma që e mbështesin rritjen afatgjatë te produktiviteti.

Kredia për biznesin privat po zgjerohej me 15,5% në vit, ndërsa kreditë me probleme kishin zbritur në 3,6%, nga 25% në vitin 2015. Z. Sejko tha se bankat duhet të vazhdojnë të financojnë bizneset pa dobësuar kriteret e administrimit të rrezikut. Ai veçoi edhe anëtarësimin në SEPA dhe zbatimin e sistemit të pagesave të menjëhershme si zhvillime që ulin kostot dhe përmirësojnë shërbimet për kompanitë.

Financimi i bankave duhet të mbështesë investimet që nxisin prodhimin, inovacionin dhe eksportet

Sejko: Rënia e kursit lidhet me flukset e mëdha të euros, BSH s’mat paratë me origjinë të paligjshme

 

Për një eksportues, megjithatë, kostoja e të bërit biznes nuk mbaron te kredia apo te pagesat. Alessandro de Concini, drejtues i përfaqësisë së Bankës Europiane të Investimeve në Shqipëri, tha se drejtuesit e kamionëve humbasin rreth 26 milionë orë në pikat kufitare të rajonit.

Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor mund të shfrytëzojnë më mirë një treg prej 70 milionë banorësh nëse ulin pengesat në kufi dhe lidhin më mirë kapacitetet e tyre prodhuese. Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, BEI ofron kredi, garanci dhe instrumente për ndarjen e rrezikut, që mund të përdoren për investime në eficiencë energjetike, dekarbonizim dhe zhvillimin e produkteve të reja.

Për Grant Van Cleve, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë, një pengesë lind shumë përpara se malli të arrijë në kufi: bizneset nuk mund të mbështeten gjithmonë te rregullat mbi të cilat kanë ndërtuar planet e investimit.

Duke iu referuar Indeksit Shqiptar të Biznesit, ai vuri në dukje dallimin mes mënyrës se si qeveria e vlerëson klimën e biznesit dhe asaj që raportojnë kompanitë. Ndryshimet e shpeshta fiskale, sipas tij, i detyrojnë investitorët të rishikojnë llogaritë kur zbatimi i projekteve ka nisur tashmë.

“Kjo paqëndrueshmëri e bën vërtet sfidë tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte”, tha Van Cleve. Ai veçoi energjinë, logjistikën, teknologjinë dhe shërbimet e biznesit si sektorë ku Shqipëria mund të tërheqë kapital. Por që interesi të kthehet në investime, tha ai, duhet të ndryshojë mënyra se si hartohen dhe zbatohen politikat publike.

Teksa z. Van Cleve vuri në diskutim qëndrueshmërinë e rregullave, Balázs Révész, president i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, ngriti pyetjen se cilin model zhvillimi duhet të mbështesin ato rregulla.

Ai bëri dallimin mes një ekonomie që përdor avantazhet fiskale për të tërhequr kapital financiar dhe një ekonomie që investon në inovacion, digjitalizim dhe eksporte me vlerë të lartë. Sipas tij, Shqipëria nuk ka bërë ende një zgjedhje të qartë mes të dyjave.

Z.Révész argumentoi se kompanitë e huaja mund t’i ndihmojnë bizneset vendase të zgjerojnë kapacitetet prodhuese dhe të krijojnë vende pune më të kualifikuara, përmes transferimit të njohurive.

Por për investitorët, prova e reformave nuk është vetëm përafrimi i ligjeve me ato të BE-së. Është edhe sa kohë kërkon një procedurë, nëse ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe nëse problemet e pronësisë marrin zgjidhje.

Në ndërtim, zgjedhja se ku duhet të shkojë kapitali mori një formë konkrete. Artan Dulaku, drejtues ekzekutiv dhe aksioner i Concord Group, tha se ndërtimi mbetet aktiv, por infrastruktura nuk po ecën me të njëjtin ritëm. Ai përmendi se Mali i Zi përdor më shumë se dyfishin e bitumit që konsumon Shqipëria, pavarësisht se ka një ekonomi më të vogël.

Kur diskutimi kaloi tek orientimi i investimeve drejt hotelerisë, z. Dulaku bëri dallimin mes një projekti që qëndron ekonomikisht dhe një detyrimi administrativ. “Kjo nuk bëhet me urdhër, kjo bëhet me incentiva”, tha ai.

Monitor Top 200, Dulaku: Infrastruktura duhet të ecë në hap me kërkesën për prona luksoze në bregdet

Kërkesa për prona luksoze, ndërtuesit paralajmërojnë ngadalësim për tregun rezidencial

 

 

Industria përpunuese në rënie, prodhuesit kërkojnë konsultim për taksat

Aktiviteti në industrinë shqiptare të tekstileve dhe këpucëve ka rënë që prej vitit 2022, kur të dyja degët arritën nivelin më të lartë. Dobësimi i euros kundrejt lekut dhe kostot e larta të prodhimit po ngushtojnë hapësirën e eksportuesve për të konkurruar.

Në panelin e dytë të TOP 200 Business Forum, prodhuesit i kërkuan qeverisë të konsultohet me ta përpara se të ndryshojë taksat, në një kohë kur kompanive u duhet të investojnë për të përmbushur standardet e tregut europian.

Rënia ka pasoja përtej shitjeve jashtë vendit. Florian Zekja, kryetar i Shoqatës së Manifakturës, tha se përpunimi është punëdhënësi më i madh ndër degët e industrisë. Në tekstile dhe këpucë, ku prodhimi kërkon shumë punonjës, pagat dhe kontributet zënë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve. Për këtë arsye, ecuria e sektorit ka rëndësi edhe për të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore.

Për disa kompani, kursi i këmbimit ka ndryshuar edhe tregun ku shesin. Te AZ Group, eksportet kanë zbritur nga 90% në rreth 50% të aktivitetit, tha Alban Zusi, drejtues i Qendrës së Eksporteve Shqiptare. “Pjesa e mbetur është e fokusuar në shitjen e produkteve në tregun e brendshëm”, tha ai.

Z. Zusi ia atribuoi zhvendosjen dobësimit të euros. Për të gjetur blerës në tregje të reja, tha ai, kompanitë duhet të investojnë në kërkim dhe në staf të kualifikuar, por edhe të ruajnë kontaktin me klientët përmes panaireve, ku mund të kuptojnë më mirë se çfarë kërkojnë tregjet.

Nëse kursi ka ndryshuar llogaritë e shitjes, paketa fiskale mund të ndryshojë ato të investimit. Valon Kupa, nënkryetar i Shoqatës së Manifakturës, tha se një rritje e mundshme e tatimit mbi dividendin në 15% do të dobësonte avantazhin fiskal të Shqipërisë ndaj Kosovës, ku norma është zero.

Ai përmendi edhe Maqedoninë e Veriut, ku taksimi i sheshtë është 10% dhe bizneset në zonat industriale mund të përfitojnë lehtësi deri në dhjetë vjet. Për z. Kupa, pikërisht konkurrenca me fqinjët e bën të nevojshëm konsultimin me bizneset përpara ndryshimeve fiskale.

Por taksat në Shqipëri janë vetëm një pjesë e kostos së shitjes në Europë. Sipas analizës që prezantoi Angella Faith Montfauco, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore, masat rregullatore u shtojnë kostove afro 10% për mallrat dhe rreth 17% për shërbimet.

Në disa raste, barra është gati pesë herë më e lartë se tarifat. Edhe për një kompani që eksporton vetëm mallra, kostoja e shërbimeve hyn në çmimin përfundimtar: produkti duhet transportuar, siguruar dhe shpërndarë.

Përmbushja e standardeve europiane kërkon para përpara se eksportuesi të arkëtojë porosinë e parë. Një certifikim mund të kërkojë makineri të reja, ndryshim të lëndëve të para ose ndërhyrje në procesin e prodhimit.

Banka Shqiptare e Zhvillimit, që pritet të nisë operimin më 1 janar 2027, synon t’i bëjë të financueshme disa prej këtyre investimeve me garanci dhe mekanizma për ndarjen e rrezikut. Zerina Bruci, drejtuese e çështjeve të korporatës në bankë, tha se pengesa për marrjen e një kredie tregtare mund të jetë kolaterali, afati i gjatë i kthimit ose niveli i rrezikut të projektit.

Për eksportuesit, banka parashikon dy forma mbështetjeje: financim të kapitalit qarkullues në fillim të aktivitetit dhe financim për licencimin e certifikimin e produkteve.

Modernizimi i ndërmarrjeve do të mbulojë gjithashtu investime në makineri, automatizim dhe kapacitete prodhuese. Synimi, sipas znj. Bruci, është të rritet numri i bizneseve që eksportojnë, por edhe të zgjerohet gama e produkteve dhe të rritet vlera e tyre.

Elira Kokona, drejtuese ekzekutive e Korporatës Shqiptare të Investimeve, tha se institucioni ka bërë të financueshme nga bankat tregtare mbi 24 kontrata me investitorë në sektorë të ndryshëm. Ajo e vuri theksin te kërkimi dhe zhvillimi për të identifikuar sektorët me potencial investimi.

Për prodhuesit që kërkojnë të shesin në tregje të reja, financimi është kushti për të bërë investimin; konsultimi fiskal është mënyra për të ditur me çfarë kostosh do të punojnë pasi ta kenë bërë.

Industria përpunuese në rënie prej vitit 2022, bizneset kërkojnë konsultim për politikat fiskale

 

Bizneset përballë boshllëkut të sigurimit, tregu gati të kontribuojë në një skemë kombëtare

 

Siguruesit shqiptarë janë të gatshëm të bashkojnë kapacitetet për një skemë kombëtare kundër katastrofave natyrore, në një treg ku sigurimi i pronës zë vetëm një të dhjetën e primeve.

Në panelin “Ekonomia pa sigurim të mjaftueshëm” të TOP 200 Business Forum, përfaqësuesit e industrisë thanë se mund të mbështeten te risiguruesit ndërkombëtarë për të marrë përsipër rreziqe që kompanitë vendase nuk mund t’i mbulojnë vetëm. Diskutimi përfshiu edhe sigurimin e bujqësisë.

Qeveria ka hedhur më herët në konsultim një variant të saj për sigurimin nga katastrofat. Projektligji i publikuar në korrik 2025 kishte një objekt më të ngushtë: sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet. Modeli i propozuar nuk gjeti mbështetje unanime në treg.

Gatishmëria e shprehur në forum për një skemë kombëtare nënkupton një qasje të re të industrisë për të marrë përsipër këtë segment sigurimi.

“Tregu i sigurimeve në Shqipëri është gati të krijojë një grupim (pool) dhe ta menaxhojë këtë gjë”, tha Ogert Shkrepa, drejtor i Sigurimeve të Pronës dhe Garancive në SIGAL. Ai përmendi Munich Re, Swiss Re dhe Hannover Re si risigurues që, sipas tij, janë të gatshëm të mbështesin mbulimin e katastrofave natyrore dhe të rreziqeve në bujqësi.

Shifrat e prezantuara nga Ersuin Shehu zv.kryeredaktor i “Monitor” në hapje të panelit treguan një panoramë mbi masën e boshllëkut.

Primet e shkruara bruto arritën në 280 milionë euro në vitin 2025, ose 1,03% të PBB-së. Shpenzimi për sigurime ishte 118 euro për frymë, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 89 milionë euro. Afërsisht 70% e primeve vinin nga sigurimi i mjeteve motorike dhe vetëm 10% nga sigurimi i pronës.

Për një biznes, megjithatë, edhe ekzistenca e një police nuk e zgjidh çështjen e mbulimit. Klaidi Çitozi, drejtues ekzekutiv i SIGMA Vienna Insurance Group, tha se shumë kompani e sigurojnë pronën për të përmbushur kushtet e bankës, por lënë jashtë asete të tjera dhe shpenzimet që vazhdojnë edhe kur puna ndalet.

“Sigurimi i plotë përfshin dhe business interruption (ndërprerje e biznesit)”, tha z. Çitozi. Një policë mund të paguajë për riparimin e pronës pa mbuluar detyrimet që kompania duhet të shlyejë deri në rifillimin e aktivitetit.

Marsela Vaska, drejtoreshë e Mbikëqyrjes së Tregut të Sigurimeve në AMF, e lidhi zgjerimin e tregut me mënyrën se si kompanitë e përfshijnë sigurimin në vendimet e tyre për riskun.

Sipas saj, digjitalizimi mund ta bëjë më të lehtë blerjen e produkteve, veçanërisht për bizneset jashtë Tiranës. Z. Shkrepa përmendi se tregu ofron tashmë edhe mbulim për përgjegjësinë e drejtuesve, personelin kyç dhe rrezikun kibernetik.

Sigurimet hynë në diskutim edhe si pjesë e paketës së punësimit. Dalina Gjicali, drejtuese ekzekutive dhe partnere në EPPC Albania, tha se sigurimi shëndetësor dhe pensionet private mund t’i ndihmojnë kompanitë të tërheqin dhe të mbajnë punonjës, por përdorimi i tyre mbetet i kufizuar te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Albana Karapanço, drejtuese operacionale dhe e çështjeve ligjore në Tegeria, e vuri theksin te mundësia që teknologjia të përmirësojë analizën e të dhënave dhe vlerësimin e dëmeve, të ndihmojë në zhvillimin e produkteve të reja dhe të forcojë mbrojtjen ndaj rreziqeve kibernetike.

Bizneset shqiptare përballë boshllëkut të sigurimit, tregu gati të kontribuojë në skemë kombëtare

 

Zërat e Forumit TOP 200 të Monitor

1. Ekonomia shqiptare përballë rajonit: Sa e qëndrueshme është rritja?

Ornela Liperi – Kryeredaktore e Monitor

“Pa kontributin e taksave neto dhe të administratës publike, rritja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2025 do të ishte vetëm 0,85% — më e ulëta në rajon”

“Kapitali po zhvendoset drejt ndërtimit, ndërsa industria, historikisht një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, po humbet terren”.

 

Evis Karandrea – Drejtore Ekzekutive, Union Grup

“Një qarkullim i lartë nuk përkthehet automatikisht në produktivitet më të madh, në vende pune më cilësore, në inovacion apo në konkurrueshmëri afatgjatë”

“Për të rritur produktivitetin, kompanive u duhen investime në teknologji, punonjës të kualifikuar dhe rregulla fiskale e rregullatore të parashikueshme”

 

Gent Sejko – Guvernator, Banka e Shqipërisë

Për produktivitetin dhe integrimin europian: Normalisht duhet të përshpejtojmë ritmet e rritjes ekonomike dhe nivelin e reformave, në mënyrë që të ngushtojmë sa më shumë mospërputhjet që kemi me mesataren e vendeve të Bashkimit Europian.

Praktikisht, qëllimi është të kemi një rritje të qëndrueshme, të bazuar te produktiviteti, një rritje afatgjatë dhe të jemi gjithmonë të përshtatur me standardet e Bashkimit Europian.

Për kreditimin dhe rrezikun bankar: Natyrisht që ne kërkojmë që bankat të kreditojnë më shumë, por gjithmonë brenda standardeve dhe kritereve të prudencës. Kjo pasi edhe një kërkesë për kredi me oreks të shtuar do të sillte rritje të kredive të këqija, siç ndodhi para vitit 2008, para krizës financiare globale.

Ju keni qenë prezentë këtu dhe e dini se sa jemi lodhur e munduar në një përpjekje të përbashkët banka-biznes për të menaxhuar kreditë e këqija, të cilat u ulën nga niveli 25% që ishte në vitin 2015, në nivelin 3.6% që janë sot.

 

Alessandro de Concini – Drejtues i Përfaqësisë së Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) në Shqipëri

Për integrimin rajonal dhe kostot e pritjes në kufi: Sipas disa vlerësimeve, mendoj se rreth 26 milionë orë të kohës së shoferëve të kamionëve humbasin në pikat e kalimit kufitar në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, integrimi rajonal, ndërlidhja rajonale dhe flukset tregtare janë padyshim një nga rrugët për të përmirësuar konkurrueshmërinë e Shqipërisë dhe të rajonit më gjerë.

Për integrimin europian si mundësi për kompanitë: Ekziston një hendek në përafrimin ose përputhshmërinë me standardet dhe kërkesat e BE-së në shumë fusha: në dekarbonizim, në CBAM (Mekanizmin e Përshtatjes Kufitare të Karbonit), në gjurmën energjetike, si dhe në integrimin e përgjithshëm në tregun e vetëm të BE-së.

Megjithatë, do të ftoja vërtet të gjithë që integrimin në BE ta shohin jo si barrë të rregulloreve më të shumta, burokracisë dhe përputhshmërisë me standarde të reja, por vërtet si një mundësi që kompanitë të diversifikohen, të tërheqin investime, të dekarbonizohen, të përmirësojnë gjurmën e tyre energjetike dhe të identifikojnë mundësi të reja bashkëpunimi brenda rajonit dhe me zinxhirët europianë të vlerës.

 

Balázs Révész – President i Shoqatës së Investitorëve të Huaj të Shqipërisë (FIAA)

“Shqipëria duhet të zgjedhë modelin ekonomik që dëshiron të ndjekë dhe t’i qëndrojë asaj zgjedhjeje. Dëgjoj se duam të jemi ‘Estonia e Ballkanit’, me integrim në BE, më shumë eksporte dhe prodhim vendas më të fortë.

Por në praktikë, Shqipëria i ngjan ende më shumë ‘Monakos së Ballkanit’.”

“Harmonizimi i legjislacionit nuk mjafton. Duhen reforma që bizneset t’i ndiejnë në punën e përditshme: procedura më të thjeshta dhe transparente për lejet e licencat, zbatim i barabartë i ligjit gjatë inspektimeve dhe auditimeve, si dhe zgjidhje për problemet e pronësisë mbi tokën dhe të kadastrës. Këto janë pengesa për kompanitë vendase dhe të huaja që duan të zgjerohen.”

 

Grant Van Cleve – President, Dhoma Amerikane e Tregtisë

“Po flasim për thjeshtim dhe parashikueshmëri, ndërsa në Parlament po diskutohet një paketë fiskale që, në shumë drejtime, shkon në kahun e kundërt. Rregullat po ndryshojnë sërish, ndërkohë që bizneset janë në mes të zbatimit të planeve të tyre.

Kjo paqëndrueshmëri e vështirëson tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte, përfshirë ato amerikane.”

“Shqipëria ka mundësi të bëhet një destinacion tërheqës për njerëzit dhe për kapitalin që mund t’i ndjekë. Turizmi dhe fryma sipërmarrëse janë avantazhe, por nuk kemi pse të përqendrohemi vetëm në pak sektorë.

Ka potencial edhe në energji, logjistikë, zhvillim softuerësh dhe shërbime biznesi.

Që investitorët të bëjnë hapin e fundit dhe të sjellin qindra miliona dollarë në vend, duhet të zgjidhim problemet me mënyrën si administrohen dhe ndryshohen rregullat.”

 

Artan Dulaku – CEO dhe Aksioner, Concord Group

“Do të donim që investimet në infrastrukturë të ecnin me të njëjtin ritëm si investimet në ndërtim. Kur infrastruktura nuk e ndjek zhvillimin e sektorit, ngadalësohet i gjithë procesi.”

“Investimet në hoteleri mund të nxiten përmes stimujve që i bëjnë këto projekte më tërheqëse për investitorët. Në këtë mënyrë, kapitali mund të zhvendoset natyrshëm drejt hotelerisë.”

 

2. Sfida e rritjes së vlerës së shtuar në industrinë përpunuese dhe transformimit drejt BE-së

Florian Zekja – Kryetar, Shoqata e Manifakturës

“Industria përpunuese ka një peshë të madhe në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe është punëdhënësi më i madh ndër degët e industrisë në Shqipëri. Për një biznes që punëson shumë njerëz, kontributet janë një zë i rëndësishëm i shpenzimeve për personelin. Por pesha e sektorit shkon përtej bilanceve të kompanive: ai ka një rol vendimtar si në fondin e sigurimeve, ashtu edhe në atë të pensioneve.”

“Industria e këpucëve dhe ajo e tekstileve kanë ndjekur pothuajse të njëjtën ecuri. Të dyja arritën kulmin në vitin 2022 dhe nga viti 2023 kanë shënuar rënie, duke ngritur pikëpyetje për ecurinë e tyre në vitet 2025–2026. Nuk e di sa është marrë parasysh në këtë diskutim kostoja e euros, që për eksportuesit është si një taksë e fshehtë.”

 

Alban Zusi — Drejtues i Qendrës së Eksporteve Shqiptare

“Për shkak të zhvlerësimit të euros, kompania ime, e cila ishte 90% eksportuese, aktualisht e ka eksportin në 50% të aktivitetit.”

 

Valon Kupa — Nënkryetar i Shoqatës së Manifakturës

Qeveria duhet t’i konsultojë bizneset përpara ndryshimeve fiskale. Një rritje e tatimit mbi dividendin në 15% mund ta dobësojë avantazhin e Shqipërisë ndaj Kosovës, ku norma është zero.

 

Angella Faith Montfauco — Ekonomiste e lartë e Bankës Botërore

Tarifat preferenciale e lehtësojnë hyrjen në tregjet e huaja, por përmbushja e kërkesave rregullatore u shton bizneseve kosto prej afro 10% për mallrat dhe rreth 17% për shërbimet.

 

Zerina Bruci — Drejtuese e çështjeve të korporatës në Bankën Shqiptare të Zhvillimit

Me garanci dhe ndarje të rrezikut, banka synon t’i ndihmojë bizneset me investime që nuk marrin lehtësisht kredi, për t’i bërë “të financueshme nga sistemi financiar”.

 

Elira Kokona — Drejtuese ekzekutive e Korporatës Shqiptare të Investimeve

Korporata ka bërë të financueshme nga bankat e nivelit të dytë “mbi 24 kontrata” me investitorë nga sektorë të ndryshëm.

 

3. Ekonomia pa sigurim të mjaftueshëm

Ersuin Shehu – Zv.kryeredaktor, Revista Monitor

“Kemi një treg në rritje në terma nominalë, por në stanjacion në terma realë. Tregu është më i vogli në rajon në raport me ekonominë.”

“Sigurimet motorike, duke përfshirë TPL-të dhe Kaskot, përbëjnë 70% të primeve të shkruara bruto të tregut. Sigurimet e pronës përbëjnë vetëm 10%, sigurimet e tjera të jo-jetës 11%, ndërsa sigurimet e jetës rreth 9%.”

 

Marsela Vaska, drejtoreshë e Mbikëqyrjes së Tregut të Sigurimeve në AMF

“Primi për frymë mbetet i ulët krahasuar me vendet e rajonit dhe me vende të ngjashme me Shqipërinë. Megjithatë, në pesë vitet e fundit ai është më shumë se dyfishuar, nga rreth 47 në 118 euro për frymë.”

“Sigurimi nuk duhet parë si një shpenzim shtesë, por si një mjet për administrimin e rrezikut. Vlera e një police matet me mbrojtjen që ofron dhe me mundësinë që i jep një individi apo biznesi për t’u kthyer në normalitet pas një ngjarjeje të paparashikuar.”

 

Klaidi Çitozi – CEO i SIGMA Vienna Insurance Group

“Çdo biznes ka pronarin ose aksionerin e vet, por së bashku këto biznese përbëjnë një aset kombëtar. Tërmeti i vitit 2019 nxori në pah se vetëm 5% e dëmit ishte i siguruar.

Duhet ta zgjerojmë diskutimin edhe te bujqësia dhe turizmi: nëse janë dy sektorë ku mbështetemi për zhvillimin e vendit, si do t’i përballojmë humbjet në rast të një fatkeqësie?”

“Kur një biznes merr kredi, banka kërkon sigurimin e kolateralit, por pjesa tjetër e pasurisë së biznesit shpesh mbetet e pasiguruar. Pas një dëmi, biznesi nuk ka nevojë vetëm të rindërtojë pronën, por edhe të paguajë këstet e kredisë dhe shpenzimet fikse derisa të rifillojë punën. Prandaj mbulimi duhet të përfshijë edhe ndërprerjen e aktivitetit, jo vetëm dëmin në pronë.”

 

Ogert Shkrepa — drejtor i Sigurimeve të Pronës dhe Garancive në SIGAL

“Si Shoqatë Siguruesish kemi propozuar një skemë kombëtare për mbulimin e katastrofave natyrore.

Mendoj se tregu i sigurimeve në Shqipëri është gati të krijojë një grupim të përbashkët dhe ta menaxhojë skemën. Kompanitë vendase mund të sigurojnë popullatën dhe të mbështeten te risiguruesit ndërkombëtarë për mbulimin e rrezikut.”

“Edhe për sigurimin e bujqësisë, i kemi shprehur Ministrisë së Bujqësisë gatishmërinë e tregut për të krijuar një grupim të përbashkët.

Ky grupim mund të marrë përsipër menaxhimin e projektit. Risiguruesit me të cilët kemi biseduar janë shprehur të gatshëm të mbulojnë asete bujqësore me vlerë prej miliona eurosh.”

 

Dalina Gjicali, drejtuese ekzekutive dhe partnere në EPPC Albania

“Sigurimi shëndetësor dhe pensionet private nuk duhen trajtuar si shpërblime të momentit. Ato janë një investim për të tërhequr dhe për të mbajtur punonjësit, por nuk funksionojnë të shkëputura nga pjesa tjetër e paketës së kompensimit.

Nëse një punëdhënës i ofron vetëm sepse i ofrojnë edhe të tjerët, nuk u jep kandidatëve një arsye për ta zgjedhur atë mbi një konkurrent.” “Këto paketa janë pothuajse inekzistente te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Sot i gjejmë kryesisht te kompanitë më të mëdha dhe më të strukturuara. Pensioni privat, në veçanti, ofrohet ende rrallë, megjithëse është një nga mekanizmat më të fuqishëm për t’i mbajtur punonjësit më gjatë në kompani.”

 

Albana Karapanço, drejtuese e operacioneve dhe e çështjeve ligjore në Tegeria

“Bankat kanë ecur më përpara se shoqëritë e sigurimeve në përdorimin e teknologjisë, si në shërbimet për klientët, ashtu edhe në proceset e brendshme.

Në sigurime, transformimi digjital shihet ende shpesh si kosto, jo si investim. Përfitimi mund të shihet në të gjithë procesin, nga marrja në sigurim dhe analiza e të dhënave deri te vlerësimi i dëmeve.”

 

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Çmimi i vajit të ullirit zbret në 350 lekë/litër, fermerët kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë

Fermerët në shumë zona të vendit po përballen me vështirësi të mëdha në tregtimin e vajit të ullirit, pasi çmimet e ofruara nga grumbulluesit deri ...

13 hours më parë 7 Min Lexim

Sa fitojnë supermarketet në krahasim me rajonin, a ka abuzime me çmimet?!

Në vitin 2013, çmimet e ushqimeve në vend ishin sa 66.5% e mesatares europiane. Shtrenjtimi ishte i shpejtë pas pandemisë, duke iu afruar nivelit p...

1 day më parë 16 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!