Një person ka përfunduar në spital, ndërsa më shumë se 12 mijë persona janë evakuar pas çlirimit të një substance të panjohur në ajër gjatë një koncerti në sallën “Co-op Live” në Manchester të Britanisë së Madhe.
Ngjarja ndodhi gjatë performancës së reperit Don Toliver. Pak pas orës 22:00, policia shpalli gjendjen e emergjencës, pas raportimeve se disa persona po shfaqnin shenja të intoksikimit nga substanca narkotike.
Më shumë se 50 persona patën nevojë për ndihmë mjekësore në vendngjarje, ndërsa ekipet e emergjencës kryen edhe procedura të posaçme dekontaminimi.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet e evakuimit, ku disa prej të pranishmëve shihen duke kollitur dhe duke mbuluar gojën teksa largoheshin nga ambientet e koncertit.
Deri më tani, substanca e çliruar në ajër nuk është identifikuar. Autoritetet po merren me situatën për të përcaktuar rrethanat e incidentit dhe natyrën e lëndës së dyshuar.
© SYRI.net