Mblidhen tri komisione parlamentare, Komisioni për Integrim takon ambasadorin e BE-së
Disa komisione parlamentare do të mbajnë mbledhje sot, më 23 nëntor.
Komisioni për Integrim Evropian do të takohet me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, në orën 09:45.
Në orën 10:30 do të mblidhet Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje dhe fusha të tjera përkatëse, ku do të diskutojë me Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Në fokus të takimit do të jenë çështjet që ndërlidhen me marrjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Ndërkaq, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të zhvillojë fillimisht një takim me ambasadorin e Belgjikës në Kosovë, Arnaud Dusaucy, në orën 11:00.
Në orën 12:00, i njëjti komision do të shqyrtojë tri projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Lubjanës-Hagës për bashkëpunimin në hetimin dhe ndjekjen e krimeve ndërkombëtare, si dhe marrëveshjet me Francën për ekstradim dhe ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale.















