Igor Dodik, djali i liderit të SNSD-së Millorad Dodik, është mandatuar për formimin e qeverisë së re të Republikës Sërpska. Vendimi u bë publik të dielën nga presidenti Savo Miniq pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike. Mandati i jep Igor Dodikut përgjegjësinë për përzgjedhjen e kabinetit, por për t’u zgjedhur kryeministër ai duhet të sigurojë edhe mbështetjen e Kuvendit Popullor.
Igor Dodik është sekretar organizativ i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), partisë që fitoi më shumë vota në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në fillim të tetorit, dhe ka qenë bartës i listës së kësaj partie për Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska. Pas marrjes së mandatit, ai tha se është i vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe se do të duhet të dëshmojë se e meriton besimin e dhënë. Në prioritetet e qeverisë së re ai përmendi zhvillimin ekonomik, transparencën institucionale dhe menaxhimin e përgjegjshëm të fondeve publike. “Do të punojmë në mënyrë transparente. Është e domosdoshme të rritet angazhimi në institucionet publike. Duhet të dihet se si shpenzohen paratë. Do të kërkoj menaxhim të përgjegjshëm dhe për lëshime do të duhet të mbahet përgjegjësi”, deklaroi Dodik.
Sa i përket marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, ai tha se bashkëpunimi do të varet nga respekti që, sipas tij, BE-ja do të tregojë ndaj Republikës Sërpska. Dodik theksoi gjithashtu se bashkëpunimi me Serbinë do të ketë një vend të veçantë në punën e qeverisë së ardhshme dhe shprehu dëshirën për vazhdimin e projekteve të përbashkëta.
Dy ditë para shpalljes së emrit të mandatarit, Millorad Dodik kishte njoftuar se kryesia e SNSD-së kishte vendosur për kandidatin që do të propozonin për drejtimin e qeverisë, pa zbuluar identitetin. Ai kishte deklaruar se kandidati gëzonte mbështetjen unanime të partisë dhe se do të kishte liri në përzgjedhjen e ministrave. Më herët Millorad Dodik e kishte cilësuar të birin si një prej emrave më premtues të partisë.
Igor Dodik, i lindur në vitin 1989 në Banja Luka, është përfshirë në politikën e partisë dhe drejtimin e aktiviteteve organizative, si dhe në sektorin e biznesit dhe sportit. Sipas rregullave kushtetuese, pas propozimit të mandatarit Kuvendi Popullor ka 40 ditë për të zgjedhur qeverinë e re. Kabineti i ardhshëm do të përbëhet nga 16 ministri. Presidenti Savo Miniq kishte paralajmëruar se synim ishte formimi i qeverisë deri në mesin e dhjetorit.
