Të dielën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, qëndroi në Tetovë, ku u prit nga kryetari i Komunës, Bilall Kasami. Në takim ishte i pranishëm edhe Izet Mexhiti, një ndër drejtuesit e koalicionit VLEN.
Kasami njoftoi se së bashku me Mexhitin e informuan Kurtin për zhvillimet më të reja politike në Maqedoninë e Veriut, për përfaqësimin politik të shqiptarëve në vend dhe për bashkëpunimin rajonal.
Të lidhura
None found
Marrëdhëniet dypalëshe u cilësuan prej tij si shumë të mira, ndërsa theksoi se në qendër të bisedës ishin projektet infrastrukturore që lidhin Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Sipas Kasamit, nëntori i gjen të përqendruar te puna dhe te projektet e përbashkëta, në të mirë të qytetarëve.
Në një postim në Facebook pas takimit, Kasami e quajti Kurtin “mikun e madh të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”.
Po atë ditë, zëvendësministrja e Transportit e Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, bëri të ditur se me kryeministrin Kurti u diskutua për hapat e ardhshëm të rrugës Tetovë–Prizren, një prej projekteve kryesore që synojnë ta afrojnë më shumë Tetovën me Kosovën.





