Në Berlin është realizuar shfaqja teatrale për fëmijë “Pse u zemëruan shkronjat?”, me autore Minerva Kumin, në kuadër të aktiviteteve kulturore kushtuar Ditës së Alfabetit Shqiptar.

Shfaqja u organizua me iniciativën e regjisores Besarta Fejza Shala, përmes “Besarta Kids Academy”, me asistencën e Bashkim Shalës dhe mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë, Ambasadës së Kosovës dhe Agjencisë Kombëtare të Diasporës.


Përmes interpretimit dhe kreativitetit të tyre, fëmijët përcollën mesazhe për rëndësinë e gjuhës shqipe, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe trashëgiminë gjuhësore e kulturore shqiptare, transmeton Telegrafi.

Aktiviteti u përshëndet nga ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi, dhe ambasadori i Kosovës, Faruk Ajeti.

Për realizimin e shfaqjes u vlerësua kontributi i ekipit artistik të “Besarta Kids Academy”, përfshirë Tean, Vlorën, Shpresën dhe Amelën, si dhe pjesëmarrja e fëmijëve, prindërve dhe publikut. Në pasurimin artistik të aktivitetit kontribuoi edhe Ansambli “Shqiponja” në Berlin, nën drejtimin e Nadës dhe Serxhos.

Përmes kësaj veprimtarie, diaspora shqiptare në Berlin shënoi Ditën e Alfabetit Shqiptar, duke vënë në qendër rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes së gjuhës shqipe te brezat e rinj./Telegrafi/