Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski, ka hedhur poshtë pohimet se heqja e Nenit 120 – dispozita që parashikon ndarjen e 6 për qind të kontributeve për shtyllën e dytë – do të shfuqizonte këtë shtyllë të sistemit pensional.
Në një deklaratë me shkrim, ai sqaroi se ndryshimet e propozuara në Ligjin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor nuk e shfuqizojnë as shtyllën e dytë, as kontributin që paguhet në të. Sipas ministrit, bëhet fjalë për një harmonizim ligjor dhe teknik të kuadrit rregullator.
Të lidhura
None found
Neni 17 i projektligjit të publikuar në ENER propozon fshirjen e Nenit 120 nga ligji aktual, i cili përcakton shkallën e kontributit për shtyllën e dytë. Megjithatë, siç theksoi Vellkovski, kjo nuk nënkupton eliminimin e kontributit apo të shtyllës së dytë.
Rregullimi i kësaj çështjeje, shtoi ai, po kalon në Ligjin për Kontributet e Detyrueshme Shoqërore, ku të gjitha aspektet që lidhen me kontributet e detyrueshme shoqërore do të rregullohen në mënyrë të plotë dhe sistematike.
Kështu, shtylla e dytë e pensioneve vazhdon të jetë funksionale, ndërsa kontributi mbetet i përcaktuar me ligj. Ndryshimi ka të bëjë vetëm me transferimin e dispozitës ligjore nga një ligj në një tjetër, jo me heqjen e shtyllës së pensioneve, përmbylli ministri.








