U varrosën veprat e pavdekshme të rilindasve', Berisha: Duhet korrigjuar arbitrariteti i kongresit hoxhist të drejtshkrimit!

U varrosën veprat e pavdekshme të rilindasve', Berisha: Duhet korrigjuar arbitrariteti i kongresit hoxhist të drejtshkrimit!

08:38, 23/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Me rastin e 118 vjetorit të Kongresit të Manastirit, ditëlindjes së Gjuhës Shqipe,  Kryetari i PD-së Sali Berisha kërkon rishikim të rregullave drejtshkrimore të cilat u imponuan kundër dialektit të gegërishtes, në Kongresin e Drejtshkrimit të nëntorit të vitit 1972 duke varrosur kështu veprat e pavdekshme të rilindasve.

“Gjuha shqipe mori një goditje të rëndë me Kongresin e Drejtshkrimit të nëntorit të vitit 1972” shkruan Berisha ndërsa shton

“Ky kongres u largua nga parimet e Komisisë së Elbasanit dhe në një akt urrejtjeje patologjike krahinore të diktatorit Hoxha, duke keqpërdorur rregullat e drejtshkrimit si gërshërë politike, arkivoi apo varrosi, me rregullat që imponoi kundër dialektit të gegërishtes, veprat e pavdekshme të korifejve të mëdhenj rilindas dhe të shkrimtarëve e poetëve të tjerë të kombit shqiptar nga veriu i Shqipërisë, Kosova dhe trojet e tjera shqiptare.

Kështu, sot nxënësve u duken si të huaja veprat e Buzukut, Budit, Bogdanit, Marin Barletit, De Radës, Darës, Fishtës, Mjedjes, Filip Shirokës, Vaso Pashës, Shtjefën Gjeçovit, Migjenit, Ndoc Nikajt, Ernest Koliqit, Haki Stërmillit, Martin Camajt, Esad Mekulit, Azem Shkrelit, Anton Pashkut, Ali Podrimjes, Din Mehmetit, Enver Gjerqekut e të tjerë. Arbitrariteti i kongresit hoxhist të drejtshkrimit, që i preu gjuhës një kordë vokale kryesore, paskajoren , duhet korrigjuar sa më parë, në mënyrë që gjuha të zhvillohet dhe të pasurohet nga gjenerata në gjenerata, dhe të qëndrojë si garante e madhështisë origjinale të veprave të pavdekshme të krijuara ndër shekuj nga shkrimtarët, poetët e lëvruesit e saj.”

Lideri i PD-së e mbyll reagimin me nderimin e atyre burrave dhe grave mendjendritur që 118 vjet më parë e bënë gjuhën tonë të bukur me gërmat e arta të saj!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco