Në politikën britanike janë ndezur debatet rreth afrimit të Mbretërisë së Bashkuar me Bashkimin Evropian dhe mundësisë së rikthimit në bllok, duke nxitur reagime të forta nga figura të njohura.
Pesë ish-kryeministra kanë dalë hapur kundër rihapjes së çështjes së Brexit, duke paralajmëruar se një proces i ri negociatash me Brukselin do të sillte pasoja të rënda politike dhe ekonomike për vendin.
Të lidhura
None found
Ndër ta është edhe Tony Blair, ish-kryeministri laburist, i cili edhe pse e ka quajtur Brexit një gabim, ka shfaqur hezitime për rikthimin në BE. Ai ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë disa politika, sidomos në sektorët e teknologjisë dhe inovacionit, para se të mendohet për ndonjë rikthim.
Rishi Sunak, gjithashtu ish-kryeministër, ka paralajmëruar se rihapja e debatit për Brexit do të ishte përçarëse dhe do ta shpërqendronte qeverinë nga prioritetet kryesore të vendit. Ai vuri në dukje se fusha të rëndësishme si shërbimet financiare dhe teknologjia përfitojnë nga liria për të operuar jashtë disa rregullave të BE-së.
Theresa May ka kundërshtuar gjithashtu idenë e rikthimit, duke kujtuar se në referendumin e vitit 2016 qytetarët britanikë zgjodhën largimin nga Bashkimi Evropian. Ajo kërkoi që vullneti i shprehur në atë votim të respektohet dhe që vendi të mos zhytet sërish në një debat të gjatë politik për këtë temë. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Boris Johnson, i cili paralajmëroi se negociatat e reja me Brukselin mund të zgjaten me vite dhe të harxhojnë energjitë e qeverisë.
David Cameron paralajmëroi se një debat i ri për anëtarësimin në BE mund ta fusë vendin në një proces të gjatë dhe të ndërlikuar politik, ndërsa Liz Truss gjithashtu shprehu kundërshtinë e saj ndaj idesë së rikthimit.
Këto reagime vijnë në një moment kur qeveria britanike po shqyrton mundësitë për të forcuar bashkëpunimin me Bashkimin Evropian në disa fusha, përfshirë tregtinë, emetimet e karbonit dhe lëvizjen e të rinjve mes dy palëve.
Megjithatë, afrimi me BE-në mbetet një temë e ndjeshme në politikën britanike, veçanërisht për çështje që lidhen me tregun e përbashkët, sovranitetin dhe kostot ekonomike.
Kryeministri britanik ka bërë të ditur se marrëdhëniet me BE-në do të diskutohen në muajt e ardhshëm, duke lënë të hapura mundësitë për një bashkëpunim më të ngushtë. Debati për të ardhmen e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian pritet të mbetet një nga çështjet qendrore të politikës britanike, dhjetë vjet pas referendumit të vitit 2016 që vendosi largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga unioni.






