Monday / November 23 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi TOP 200 Business Forum

Mesazhet e një konference, pse qeveria nuk mund ta shpërfillë sipërmarrjen

Share Share Icon

Editorial / Çfarë ekonomie po ndërtojmë dhe me çfarë do të konkurrojmë në tregun europian?

Kjo ishte pyetja që përshkoi forumin “E ardhmja e ekonomisë”, të organizuar nga “Monitor” në datën 19 nëntor.

Shqipëria kishte ritmin më të lartë të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor në vitin 2025, ndërsa industria përpunuese ishte tkurrur për nëntë tremujorë radhazi.

Të dyja shifrat i përkasin së njëjtës ekonomi, që në fakt po rritet vitet e fundit më shumë nga administrata publike e taksat neto sesa nga sektorët realë, që janë dhe punëdhënësit kryesorë.

Në forum, shifrat u diskutuan me njerëzit që vendosin çdo ditë nëse do të shtojnë një linjë prodhimi, do të marrin një porosi nga jashtë apo do ta zhvendosin kapitalin drejt një aktiviteti tjetër.

Vetë dialogu ishte një nga mesazhet e forumit. Kur sipërmarrësit mund t’i ballafaqojnë përvojat e tyre me të dhënat dhe qëndrimet e institucioneve, të dyja palët kuptojnë më mirë se ku qëndron problemi dhe kush mund të veprojë.

Prania e guvernatorit Gent Sejko dhe gatishmëria e tij për t’iu përgjigjur pyetjeve të sallës e dëshmuan vlerën e këtij komunikimi dhe modelin transparent, ballafaques që duhet të ndërtojë një zyrtar i shtetit, model i cili nuk ndiqet nga institucionet e ekzekutivit.

Kur institucionet i shmangen ballafaqimit, u mungon pikërisht ajo që biznesi mund t’u japë përpara se të marrin një vendim, përvoja se si funksionon një politikë në praktikë.

Nga forumi doli nevoja për një strategji ekonomike afatgjatë, me përparësi që qeveria t’i bëjë të njohura dhe t’i shpjegojë rregullisht. Sipërmarrjet vendosin me vite përpara për makineritë, kontratat dhe njerëzit që do të trajnojnë.

Sa më herët të kuptojnë se cilat ndryshime kanë gjasa të zgjasin dhe çfarë politikash do të ndjekë qeveria, aq më shumë mundësi kanë t’i përshtatin investimet dhe kontratat.

P.sh., për ekspozimin ndaj euros, Sejko u rekomandoi bizneseve të negocionin me bankat dhe të përdornin më shumë instrumente mbrojtëse, si kontratat forward dhe swap, për të kufizuar rrezikun nga luhatjet e kursit.

Grant Van Cleve, presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, e shpjegoi mirë se ç’do të thotë parashikueshmëri për një investitor. Ai foli për hendekun mes mënyrës si e sheh qeveria klimën e biznesit dhe asaj që raportojnë vetë kompanitë.

Një investitor mund ta llogarisë një kosto që e njeh paraprakisht. Kur rregullat fiskale ndryshojnë ndërsa projekti është në zbatim, duhet të rishikojë kthimin e investimit pasi ka angazhuar tashmë kapitalin.

Ky është një shqetësim konkret për vendin, sepse energjia, logjistika, teknologjia dhe shërbimet e biznesit, fushat ku Van Cleve sheh potencial për Shqipërinë, kërkojnë vendime që merren për një horizont shumë më të gjatë se një vit fiskal.

Balázs Révész, presidenti i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, ngriti pyetjen se cilin model dëshiron të ndjekë vendi.

Krahasimi i tij mes “Monakos së Ballkanit” dhe “Estonisë së Ballkanit” vuri në dukje mospërputhjen mes orientimit të deklaruar drejt inovacionit dhe integrimit europian dhe politikave që kompanitë ndeshin në praktikë.

Vlera e një investimi të huaj matet edhe me atë që lë në vend. Një kompani që trajnon punonjës, transferon teknologji dhe kontrakton furnitorë vendas rrit aftësinë e sipërmarrjeve shqiptare për të konkurruar në tregje ku sot hyjnë me vështirësi.

Angella Faith Montfaucon, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore për Shqipërinë, i dha debatit një përmasë konkrete.

Sipas analizës që paraqiti, kostot shtesë nga masat rregullatore arrijnë afërsisht 10% për mallrat dhe 17% për shërbimet. Për një prodhues, hyrja në një treg të ri varet edhe nga kostoja e transportit, sigurimit dhe logjistikës.

Lehtësimi i procedurave dhe mbështetja për certifikimin mund të përcaktojnë nëse një ndërmarrje e vogël e përballon porosinë e parë jashtë vendit.

Financimi bankar ka rol pikërisht këtu, për investime në pajisje, teknologji dhe kapacitete që i lejojnë kompanitë të përmbushin standardet e blerësit europian.

Të dhënat e paraqitura nga “Monitor” e bëjnë këtë zgjedhje më urgjente. Gati 70% e xhiros së 200 kompanive më të mëdha në Shqipëri në vitin 2025 erdhi nga tregtia dhe ndërtimi.

Në Maqedoninë e Veriut, tri kompani të industrisë së automjeteve siguronin rreth 42% të punësimit te dhjetë sipërmarrjet më të mëdha, pa përfshirë bankat.

Ky krahasim e sjell debatin te lloji i investimeve që tërheqim dhe te mundësia për të krijuar vende pune më të kualifikuara e më të paguara në Shqipëri.

Vite më parë, disa prej kompanive që kishin shfaqur interes për Shqipërinë zgjodhën Maqedoninë e Veriut, ku sot janë ndër punëdhënësit më të mëdhenj.

Në disa ndërhyrje u përsërit i njëjti shqetësim. Shqipëria po humbet terren ndaj vendeve të rajonit në garën për investime të huaja.

Valon Kupa, nga Shoqata e Manifakturës, solli shembullin e Maqedonisë së Veriut, ku investitorët industrialë përfitojnë nga norma tatimore më të ulëta dhe lehtësi në zonat industriale.

Krahas disavantazhit fiskal, Van Cleve dhe Révész vunë në dukje se ndryshimet e shpeshta të rregullave, procedurat administrative dhe pasiguria për pronësinë e bëjnë më të vështirë vendimin për të investuar në Shqipëri.

Edhe në reagimet ndaj paketës fiskale, organizatat e investitorëve të huaj paralajmëruan se ndryshimet e papritura mund të frenojnë projektet e reja dhe të shtyjnë kompani që operojnë këtu ta zhvendosin aktivitetin në vende të tjera të rajonit.

Shqipëria ka potencial të krijojë më shumë vlerë të shtuar në industri, agropërpunim, teknologji dhe shërbime të specializuara.

Zhvillimi i këtyre sektorëve është i domosdoshëm pikërisht tani, kur afrimi me Bashkimin Europian u hap kompanive një treg më të madh dhe i vë përballë një konkurrence më të fortë.

Por qeveria vijon t’i mbajë bizneset larg diskutimit të vendimeve që përcaktojnë sa të përgatitura do të jenë për këtë konkurrencë.

Pasojat mund të shkojnë nga shtyrja e investimeve te humbja e kontratave, vendeve të punës dhe, për disa sipërmarrje, dalja nga tregu.

Përgjegjësia e qeverisë është të përfshijë bizneset në hartimin e politikave, të bëjë publike analizat e ndikimit dhe të bashkërendojë veprimet e institucioneve, sa kohë kompanitë kanë ende mundësi të përgatiten.

Ajo nuk mund të sillet si armike e sipërmarrjes, të mos e dëgjojë dhe ta trajtojë si një “lopë që duhet mjelë” duke i rritur taksat sa herë i duhen më shumë para.

Në fund të fundit, kur bizneset ecin mirë, ecën mirë edhe ekonomia. Kompanitë investojnë, hapin vende pune, paguajnë më mirë dhe krijojnë më shumë të ardhura për buxhetin.

Qeveria që e vështirëson investimin sot dobëson edhe bazën nga e cila do të mbledhë taksat nesër. Dhe nëse vazhdon ta shpërfillë sipërmarrjen në këtë moment vendimtar, Shqipëria rrezikon të hyjë në tregun europian me më pak kompani shqiptare të afta të konkurrojnë në të.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Anketa, gati 28% e shqiptarëve kanë një plan konkret për të emigruar

Emigrimi po mbetet një plagë pa shërim edhe pse popullsia vendase po tkurret dhe potenciali për të prodhuar numra emigrantësh ka rënë. Por e anketa...

3 hours më parë 3 Min Lexim

Çmimi i vajit të ullirit zbret në 350 lekë/litër, fermerët kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë

Fermerët në shumë zona të vendit po përballen me vështirësi të mëdha në tregtimin e vajit të ullirit, pasi çmimet e ofruara nga grumbulluesit deri ...

16 hours më parë 7 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!