Koncerti i reperit amerikan Dan Toliver në arenën Co-op Live të Mançesterit në Angli është ndërprerë mbrëmjen e së dielës dhe mbi dymbëdhjetë mijë spektatorë janë evakuuar me urgjencë, pasi një substancë e panjohur u lëshua mes publikut duke dërguar një person në spital dhe duke detyruar ekipet mjekësore të kontrollojnë dhjetëra të pranishëm. Ngjarja u regjistrua drejt fundit të shfaqjes, duke shkaktuar shqetësim dhe panik në sallë, ndërsa sipas policisë së Greater Manchester alarmi u dha pak pas orës 22:00 pas njoftimeve se disa persona në turmë po shfaqnin shqetësime shëndetësore nga kontakti me këtë lëndë.
Fillimisht autoritetet dyshuan se bëhej fjalë për gaz lotsjellës, por substanca nuk është identifikuar ende zyrtarisht, ndërkohë që Shërbimi i Ambulancës në veriperëndim të Anglisë bëri me dije se më shumë se pesëdhjetë persona u vlerësuan nga personeli mjekësor në vendngjarje me simptoma irritimi në sy dhe vështirësi në frymëmarrje. Një i lënduar u transportua në spitalin Manchester Royal Infirmary për trajtim të mëtejshëm dhe u krye një proces dekontaminimi si masë paraprake, teksa policia konfirmoi se mbi dymbëdhjetë mijë pjesëmarrës u nxorën në mënyrë të sigurt nga godina.
Zyrtarja e lartë e policisë së Greater Manchester, Steph Parker, theksoi se përparësia kryesore e forcave të rendit ishte të garantonin sigurinë e çdo personi të pranishëm në koncert, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar natyrën e saktë të substancës së përdorur dhe mënyrën se si ajo u fut brenda arenës, me drejtuesit e Co-op Live që konfirmuan bashkëpunimin e plotë me policinë për zbardhjen e rrethanave të incidentit.










