Djali 7-vjeçar shpëtohet pas 14 orësh nën rrënojat e ndërtesës së goditur nga sulmet ruse
Një djalë shtatëvjeçar është shpëtuar nga rrënojat e një ndërtese banimi në fshatin Dymer, në rajonin e Kievit, pas 14 orësh. Sulmet ruse gjatë natës ndaj këtij vendbanimi kanë lënë të vrarë 11 persona, kanë bërë të ditur zyrtarët ukrainas.
Sulmi ndodhi në orët e para të së dielës. Sipas kreut të administratës rajonale të Kievit, Tymur Tkachenko, nga rrënojat e së njëjtës ndërtesë është shpëtuar e gjallë edhe një grua 79-vjeçare.
Ai bëri të ditur se një tjetër person ka humbur jetën nga një sulm ndaj një shtëpie private në Bila Tserkva, e cila më pas është përfshirë nga zjarri.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se tre persona janë vrarë dhe 13 të tjerë janë plagosur nga një sulm i veçantë në qytetin Vyshneve, në rajonin e Kievit. Sulmi goditi një dyqan ushqimor të dielën, raporton BBC.
Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se djali shtatëvjeçar është në gjendje stabile dhe është dërguar në spital. Edhe gruaja 79-vjeçare po merr trajtim mjekësor në spital.
Zelensky dhe Policia Kombëtare e Ukrainës kanë konfirmuar shpëtimin e fëmijës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Zelensky tha se në operacionet e shpëtimit janë angazhuar më shumë se 130 persona dhe se ato do të vazhdojnë derisa të sigurohen informacione të plota për secilin person që mund të ndodhet nën rrënoja.
Ai shprehu ngushëllime për familjet e viktimave, duke thënë se sulmi goditi ndërtesën e banimit dhe shkatërroi pothuajse tërësisht një pjesë të saj.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës, Ivan Vyhivskyi, ndërtesa u godit rreth orës 05:00, kur familjet ende ishin në gjumë.
Vyhivskyi tha se deri të dielën në mbrëmje ishin regjistruar më shumë se 70 sulme në 10 rajone të Ukrainës.
Në një videoadresim, Zelensky konfirmoi gjithashtu se tre persona u vranë dhe 13 u plagosën nga sulmi ndaj dyqanit ushqimor në Vyshneve. Kryetari i këtij qyteti, Illya Dikov, bëri të ditur se në mesin e të plagosurve janë edhe tre fëmijë.
Ndërkaq, kryeministri i Ukrainës, Sergiy Koretsky, njoftoi se Rusia ka goditur edhe një nënstacion elektrik në rajonin e Dnipropetrovskut.
Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.















