Reshjet e shiut dhe erërat e forta gjatë natës kanë shkaktuar problematika në disa bashki të Qarkut Shkodër, me situatën më të rënduar në Fushë-Arrëz. Sipas informacionit të Prefekturës së Qarkut Shkodër, deri në orën 09:00 të datës 23 nëntor 2026, në bashkinë Shkodër erërat e forta kanë shkaktuar rrëzimin e disa pemëve; shërbimet bashkiake kanë ndërhyrë për largimin e tyre.
Në Malësinë e Madhe nuk raportohen problematika të tjera përveç ndërprerjeve të furnizimit me energji elektrike. Edhe në bashkinë Vau i Dejës reshjet intensive dhe erërat e forta janë shoqëruar me ndërprerje të furnizimit me energji. Ekipet e OSHEE-së dhe strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për riparimin e defekteve në rrjetin elektrik.
Problematikat më të shumta janë regjistruar në bashkinë Fushë-Arrëz. Si pasojë e motit të keq është dëmtuar çatia e shkollës 9-vjeçare në Iballë, si dhe disa banesa. Prurjet e ujërave, gurëve dhe dherave kanë shkaktuar dëmtime në rrugët rurale, ndërsa ndërprerje të energjisë elektrike raportohen pothuajse në të gjitha njësitë administrative të kësaj bashkie. Aksi Fushë-Arrëz–Bardhet u bllokua përkohësisht gjatë natës për shkak të rrëzimit të një peme, por u bë i kalueshëm pas ndërhyrjes së shërbimeve bashkiake.
Problematika nga moti i keq janë evidentuar edhe në akset Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth, ku ka pasur rënie gurësh dhe prurje inertesh; aktualisht vijon puna për pastrimin e tyre. Në Qafë Thore janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, por aksi rrugor vazhdon të jetë i kalueshëm.
Sipas Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit, nivelet e ujit mbeten nën kuotat e rrezikut dhe nuk raportohen problematika në veprat ujore. Prefektura e Shkodrës bën me dije se po monitoron situatën në bashkëpunim me bashkitë dhe institucionet përgjegjëse, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe ndërhyrjen në kohë në zonat e prekura.
