COP31 dështon të arrijë marrëveshje për klimën, përplasjet për naftën dhe gazin bllokojnë samitin
Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Klimën, COP31, përfundoi në Antalia të Turqisë pa një marrëveshje përfundimtare politike, pas më shumë se dy javësh negociatash të bllokuara nga mosmarrëveshjet për të ardhmen e karburanteve fosile dhe financimin e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.
Bashkimi Europian dhe një grup vendesh të tjera kundërshtuan projektmarrëveshjen e paraqitur nga presidenca turko-australiane e samitit, pasi dokumenti nuk përmbante asnjë referencë për largimin gradual nga nafta, gazi dhe qymyri. Më shumë se 130 vende kishin kërkuar që marrëveshja të përfshinte një angazhim të qartë për tranzicionin larg karburanteve fosile.
Sipas Reuters, kundërshtimet ndaj tekstit përfundimtar dhe mungesa e konsensusit çuan në dështimin e negociatave, duke shënuar herën e parë që nga samiti i Kopenhagës në vitin 2009 që një konferencë e OKB-së për klimën përfundon pa një marrëveshje të përgjithshme politike.
Mosmarrëveshjet u përqendruan kryesisht te formulimet për karburantet fosile dhe roli i teknologjive të kapjes dhe ruajtjes së karbonit. Vendet europiane dhe shtetet më të ekspozuara ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike kërkuan angazhime më të forta për reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile, ndërsa Arabia Saudite dhe vende të tjera prodhuese kundërshtuan përfshirjen e tyre në dokument.
Një tjetër pikë e debatit ishte financimi për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike në vendet në zhvillim. Projektteksti parashikonte rritjen e financimit për këtë qëllim, por negociatorët nuk arritën të bien dakord për një objektiv konkret.
Drafti përfshinte gjithashtu një objektiv për rritjen e peshës së energjisë elektrike në konsumin global të energjisë në 35% deri në vitin 2035, si dhe zhvillimin e teknologjive për kapjen e karbonit. Megjithatë, këto propozime nuk morën statusin e një marrëveshjeje të miratuar, për shkak të mungesës së konsensusit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, shprehu zhgënjimin për rezultatin e konferencës, ndërsa negociatat u zgjatën rreth dy ditë përtej afatit të planifikuar, duke e bërë COP31 samitin më të gjatë klimatik në historinë e konferencave të OKB-së.
Takimi i ardhshëm i klimës, COP32, pritet të zhvillohet në Addis Ababa të Etiopisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



