Moti i keq- Dëmtime në disa banesa dhe në një shkollë në Fushë-Arrëz. Në Lezhë, probleme me furnizimin me energji elektrike

Aktualitet | 21 minuta më parë

Reshjet e shiut dhe erërat e forta gjatë natës kanë shkaktuar problematika në disa zona të Qarkut Shkodër dhe Lezhë, duke sjellë dëmtime në banesa, objekte arsimore dhe rrugë rurale, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Sipas informacionit të përditësuar nga Prefektura e Qarkut Shkodër, problematikat më të theksuara janë evidentuar në Bashkinë Fushë-Arrëz, ku erërat e forta kanë shkaktuar dëmtime në çatinë e shkollës 9-vjeçare në Iballë dhe në disa banesa.

Po ashtu, disa rrugë rurale janë dëmtuar nga prurjet e ujërave, gurëve dhe dherave. Ndërprerje të energjisë elektrike raportohen pothuajse në të gjitha njësitë administrative të bashkisë.

Gjatë natës, aksi Fushë-Arrëz–Bardhet u bllokua përkohësisht për shkak të rrëzimit të një peme, por pas ndërhyrjes së shërbimeve bashkiake, qarkullimi është rikthyer.

Në Bashkinë Shkodër, erërat e forta kanë shkaktuar rrëzimin e disa pemëve, të cilat janë larguar nga shërbimet përkatëse të bashkisë.

Në Malësinë e Madhe nuk raportohen problematika të tjera përveç ndërprerjeve të energjisë elektrike. Edhe në Bashkinë Vau i Dejës, reshjet intensive dhe erërat e forta janë shoqëruar me ndërprerje të furnizimit me energji.

Problematika nga moti i keq janë evidentuar edhe në akset rrugore Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth, ku janë konstatuar rënie gurësh dhe prurje inertesh.

Aktualisht po vijojnë punimet për pastrimin e këtyre akseve. Ndërkohë, në zonën e Qafë Thorës janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, por aksi rrugor vijon të jetë i kalueshëm.

Sipas Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit, nivelet e ujit në territorin e qarkut vijojnë të jenë nën kuotat e rrezikut. Deri në momentin e raportimit nuk janë evidentuar problematika në veprat ujore.

Edhe në Qarkun Lezhë moti i keq ka shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike, kryesisht në zonat rurale, ku sipas raportimeve rrjeti elektrik është tepër i amortizuar.

Në Bashkinë Lezhë, pa energji elektrike janë disa zona që furnizohen nga fideri i Kallmetit, përfshirë Kallmetin, Troshanin, Blinishtin, Pirajn, Fishtën dhe Krajen.

Probleme raportohen edhe në një pjesë të lagjes “Nënë Tereza” në qytetin e Lezhës, në zonën e Ishull-Lezhës dhe Vainit, si dhe në lagjen Shehër. Grupet e punës të OSHEE-së ndodhen në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

Në Bashkinë Mirditë, pa energji elektrike janë fshatrat Prosek, Perlat, Malaj, Fang, Katund i Vjetër dhe Rrasfik. Edhe në këto zona ekipet e OSHEE-së po punojnë për riparimin e defekteve.

Ndërkohë, në Bashkinë Kurbin nuk raportohen problematika. Në Milot është regjistruar një ndërprerje e përkohshme e energjisë elektrike, por pas ndërhyrjes së grupeve të OSHEE-së, situata është normalizuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme