Reperi amerikan Kanye West është fotografuar së bashku me bashkëshorten Bianca Censori teksa mbërrinin në një studio regjistrimi në Burbank, Kaliforni, një dalje që, sipas Daily Mail, ka shtuar zërat se ai mund të jetë duke punuar në projekte të reja muzikore. Çifti u shfaq duke ecur krah njëri-tjetrit drejt hyrjes së studios; Kanye kishte zgjedhur një veshje të përditshme me bluzë të bardhë me kapuç, pantallona krem dhe këpucë bezhë, ndërsa Bianca mbante një pallto të zezë lëkure, geta të zeza dhe taka të larta, dhe në dorë një kuti që dukej se ishte për një paruke.
Megjithëse Kanye nuk ka konfirmuar zyrtarisht publikimin e një albumi të ri, disa zhvillime të fundit kanë rritur pritshmëritë e fansave. Më 4 nëntor, gjatë prezentimit të koleksionit të tij Yeezy Season 01 në Los Angeles, reperi prezantoi për herë të parë dy këngë të papublikuara, një veprim që është parë si indikator i materialit të ri.
Të shtunën në mbrëmje, West përmbylli turneun e tij të vitit 2026 me një koncert në State Farm Stadium në Glendale, Arizona, ku interpretoi 44 këngë, përfshirë hitet “Can’t Tell Me Nothing”, “Street Lights” dhe “Famous”. Në skenë iu bashkua edhe reperi Big Sean në një paraqitje surprizë.
Albumi i tij i fundit, “Bully”, i publikuar në mars, debutoi në vendin e dytë të klasifikimit Billboard 200. Projekti gjithashtu mori një nominim për çmimin Grammy në kategorinë “Best Rap Album” për versionin Deluxe, sipas raportimeve.
Përtej angazhimeve muzikore, vëmendje ka marrë edhe marrëdhënia e tij me ish-bashkëshorten Kim Kardashian. Ajo ka deklaruar se dëshiron të ruajë marrëdhëniet familjare për hir të katër fëmijëve dhe synon ta ftojë sërish Kanye-n që të kalojë Krishtlindjet me familjen, duke theksuar se pavarësisht problemeve të së kaluarës dëshiron që fëmijët të kenë një marrëdhënie të mirë me të atin.

