Një luan është parë duke lëvizur i lirë në zonën Sarıyer të Stambollit, duke shkaktuar shqetësim te banorët dhe mobilizim të forcave të sigurisë.

Sipas mediave turke, gjithçka nisi pasi një qytetar nga lagjja Uskumruköy telefonoi numrin e emergjencës, duke raportuar se kishte parë një luan.


Pas denoncimit, autoritetet shqyrtuan pamjet e kamerave të sigurisë, ku identifikuan një kafshë që dyshohet të jetë luaneshë.



Në operacionin për kapjen e kafshës janë përfshirë ekipet e xhandarmërisë, Bashkisë së Sarıyerit dhe Drejtorisë së Mbrojtjes së Natyrës dhe Parqeve Kombëtare.

Kryetari i Bashkisë së Sarıyerit, Mustafa Oktay Aksu, deklaroi për CNN TÜRK se kafsha po monitorohet përmes dronëve me kamera termike, por lëvizjet e saj të vazhdueshme po e vështirësojnë operacionin.

“Arrijmë ta lokalizojmë herë pas here përmes dronëve termikë, por ajo vazhdimisht ndryshon vendndodhjen”, tha Aksu.

Ai shtoi se ekzistojnë dyshime që luani mund të jetë mbajtur dhe rritur nga ndonjë person, megjithëse ende nuk dihet se nga ka ardhur apo si është arratisur.

“Kemi përshtypjen se kafsha është rritur dhe ushqyer nga dikush. Megjithatë, nuk kemi informacione se nga mund të ketë ikur”, deklaroi ai.

Autoritetet kanë theksuar se synimi është kapja e kafshës pa e lënduar, ndërsa operacioni po zhvillohet edhe në zonat pyjore përreth.

“U bëjmë thirrje qytetarëve të mos dalin nga shtëpitë. Në fund të fundit, bëhet fjalë për një kafshë të egër që mund të shkaktojë lëndime”, paralajmëroi kryetari i bashkisë.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes së Natyrës dhe Parqeve Kombëtare konfirmoi se kafsha është lokalizuar në një zonë pyjore dhe se ekipet, së bashku me veterinerë specialistë, po vazhdojnë përpjekjet për kapjen e saj.

Ende nuk ka informacione se si ka përfunduar luani në këtë zonë të Stambollit. /Telegrafi/