E hënë, 23 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Ndahet nga jeta ish-Prokurori i Përgjithshëm, Alush Dragoshi
Lajme

Ndahet nga jeta ish-Prokurori i Përgjithshëm, Alush Dragoshi

Është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare Alush Dragoshi, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, i cili drejtoi institucionin e akuzës gjatë viteve 1992–1997, një periudhë të trazuar të tranzicionit politik dhe institucional në vend.

Lajmi për vdekjen e tij është bërë publik nga Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale ka njoftuar humbjen e mikut të tij, duke shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta.

Hajdari tregon se njohja e tyre datonte që prej vitit 1993, kur ai ishte emëruar në detyrën e shefit të Policisë Hetimore në Komisariatin nr. 4 në Tiranë. Në mesazhin e lamtumirës, ai e kujton Dragoshin si një njeri fisnik, të drejtë dhe me vlera të larta njerëzore e profesionale.

Sipas rrëfimit të prefektit, ish-kreu i organit të akuzës vuante prej disa muajsh nga një sëmundje e rëndë. Takimi i fundit mes tyre ishte zhvilluar në spital, ku, pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore, Dragoshi kishte ruajtur qetësinë dhe forcën shpirtërore.

“Me largimin e tij, drejtësia shqiptare humbi një shërbestar me integritet të lartë, familja një njeri të shtrenjtë, ndërsa unë humba një mik të madh”, shkruan Shkëlqim Hajdari në mesazhin e tij.

Alush Dragoshi ishte një nga drejtuesit e institucioneve të drejtësisë në vitet e para të tranzicionit shqiptar. Ai mbajti postin e Prokurorit të Përgjithshëm për rreth pesë vite, nga 1992 deri në vitin 1997, duke qenë në krye të institucionit në një nga periudhat më të vështira të historisë së vendit pas rënies së regjimit komunist.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.