Meteorologët hedhin poshtë skenarët për një dimër ekstrem, duke theksuar se parashikimet aktuale nuk tregojnë shenja për ngrica të pazakonta apo reshje të jashtëzakonshme bore.

Sipas modeleve afatgjata meteorologjike, gjatë dhjetorit, janarit dhe shkurtit temperaturat në Zvicër pritet të jenë rreth 1 deri në 2 gradë mbi mesataren shumëvjeçare.


Ndërkohë, reshjet mund të jenë më të shpeshta se zakonisht, ndërsa në zonat malore pritet mundësi për reshje më të mëdha bore.

Në ultësira, meteorologët parashikojnë mot më të butë, me periudha shiu dhe erëra, shkruan Blick, transmeton Telegrafi.

Edhe pse dobësimi i vorbullës polare ka nxitur spekulime për një dimër të ashpër në Evropë, ekspertët theksojnë se kjo nuk nënkupton automatikisht ardhjen e një vale të madhe të ftohti.

Sipas vlerësimeve aktuale, një dimër ekstrem në Zvicër mbetet pak i mundshëm, megjithëse periudhat e shkurtra me acar dhe reshje bore nuk përjashtohen./Telegrafi/