U nda nga jeta në moshën 77-vjeçare, Alush Dragoshi, ish-Prokurori i Përgjithshëm, i cili drejtoi organin e Akuzës në vitet 1992–1997.
Lajmi është bërë i ditur nga Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, i cili përmes një mesazhi në rrjetet sociale ka njoftuar ndarjen nga jeta të mikut të tij.
Hajdari tregon se e njihte Dragoshin që prej vitit 1993, kur ishte emëruar shef i Policisë Hetimore në Komisariatin nr. 4 në Tiranë. Ai e përshkruan si një njeri fisnik, të drejtë dhe me integritet të lartë moral e profesional.
Sipas Hajdarit, ish-Prokurori i Përgjithshëm vuante prej disa muajsh nga një sëmundje e rëndë. Po ashtu, tregon se takimi i fundit me të ishte zhvilluar në spital, ku, pavarësisht gjendjes shëndetësore, Dragoshi kishte ruajtur qetësinë dhe forcën shpirtërore.
Me largimin e tij, drejtësia shqiptare humbi një shërbestar me integritet të lartë, familja një njeri të shtrenjtë, ndërsa unë humba një mik të madh.
Alush Dragoshi ishte një nga figurat e drejtësisë shqiptare të periudhës së tranzicionit, duke mbajtur postin e Prokurorit të Përgjithshëm për rreth pesë vite.