Një aventurë që ngjan me skenat e një videoloje me rrezik, përfundoi në aksident rrugor për dy të mitur në Itali. Pasi vodhën një autobus nga një depo në qytetin e Rovigos, e morën në drejtim të rrugës për rreth 8 kilometra, por gjithçka përfundoi kur humbën kontrollin dhe autobusi u përmbys në kanal.
Ngjarja ndodhi në mjediset e depos së kompanisë së transportit “Busitalia Veneto”, në rrugën Via Petrarca. Sipas mediave italiane, dy të miturit hynë në depo kur autobusët kishin përfunduar shërbimin.
Para se të largoheshin, shkaktuan dëme edhe në 10 automjete të tjera, duke iu thyer xhama e pasqyra.
Policia arriti t’i identifikonte dhe lokalizonte pas hetimeve. Ajo që e bën edhe më të pazakontë ngjarjen është pista që po shqyrtojnë hetuesit:
Mundësia që dy të miturit të jenë frymëzuar nga videoloja e famshme Grand Theft Auto (GTA 6), ku lojtarët mund të vjedhin automjete e të përfshihen në situata kriminale.
Por, policia italiane ende nuk ka konfirmuar nëse videoloja ka ndikuar në veprimet e tyre. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet.