Një aksident i rëndë rrugor në Itali i ka marrë jetën një 31-vjeçareje shqiptare, ndërsa tre fëmijë të mitur që udhëtonin me të kanë mbetur të plagosur. Mes tyre, në gjendje të rëndë shëndetësore ndodhet vajza 4-vjeçare e viktimës.

Ngjarja ka ndodhur në provincën e Pordenones, ku Emanuela Shahini, 31 vjeçe, ka humbur kontrollin e automjetit që drejtonte, duke dalë nga rruga dhe përfunduar e përmbysur në një kanal.

Sipas raportimeve të mediave italiane, shqiptarja po udhëtonte drejt Villanovës, ku kishte planifikuar të merrte pjesë në një festë ditëlindjeje së bashku me dy fëmijët e saj, përkatësisht 6 dhe 4 vjeç, si dhe një shok të tyre.

Udhëtimi është ndërprerë tragjikisht kur automjeti ka dalë nga rruga në një kthesë. Nga të dhënat paraprake dyshohet se lagështia në asfalt mund të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit të mjetit.

Makina dyshohet se fillimisht është përplasur me një shtyllë betoni në anë të rrugës dhe më pas është përmbysur në një kanal.

Përplasja ka rezultuar fatale për 31-vjeçaren shqiptare, e cila ka humbur jetën si pasojë e aksidentit.

Ndërkohë, vajza e saj 4-vjeçare ka pësuar dëmtime të rënda dhe është transportuar me urgjencë me helikopter drejt spitalit të Udines, ku po merr trajtim të specializuar mjekësor.

Dy fëmijët e tjerë që ndodheshin në automjet janë dërguar në spitalin e Pordenones, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e zjarrfikësve dhe karabinierët, të cilët kanë ndërhyrë për të menaxhuar situatën dhe për të kryer veprimet e para hetimore.

Autoritetet italiane po punojnë për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes, ndërsa kushtet e rrugës dhe dinamika e përplasjes janë pjesë e hetimeve.

Ende nuk ka një përfundim zyrtar mbi shkakun e aksidentit që i mori jetën nënës së re shqiptare.