Monday / November 23 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Institucione Ndërkombëtare Lajmet Kryesore Nga Vendi

Banka Botërore identifikon 3 sektorë me potencial rritje e punësim

Share Share Icon

Mobilizimi i investimeve private është thelbësor që Shqipëria të forcojë konkurrueshmërinë, të përshpejtojë konvergjencën ekonomike me Bashkimin Evropian dhe të krijojë mundësi të reja ekonomike, thuhet në raportin e ri të Grupit të Bankës Botërore, të publikuar sot.

Diagnostikimi i Sektorit Privat në Shqipëri (DSPV) identifikon politikat, kuadrin rregullator dhe reformat institucionale që mund të ndihmojnë në mobilizimin e deri në 929 milionë dollarëve amerikanë në investime private dhe të mbështesin krijimin e 13,000 deri në 18,000 vendeve të punës në periudhën afatmesme në agroturizëm, menaxhimin e mbetjeve dhe digjitalizimin e pagesave.

Këta janë tre sektorë me potencial të lartë për të tërhequr investime, për të mbështetur punësimin, për të gjeneruar të ardhura dhe për të kontribuar në një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, nëse kapërcehen disa nga pengesat që kufizojnë investimet private.

Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm ekonomik gjatë dekadës së fundit. PBB-ja për frymë u rrit nga 24 për qind e mesatares së Bashkimit Evropian në vitin 2008, në 41 për qind në vitin 2025, ndërsa investimet e huaja direkte kanë mbetur në nivele të larta.

Megjithatë, kufizimet specifike të sektorëve vazhdojnë të pengojnë tërheqjen e investimeve në shkallën dhe me cilësinë e nevojshme për të mbështetur objektivat e zhvillimit të vendit.

Informaliteti, mungesa e kualifikimeve dhe aftësive, qasja e kufizuar në financim, mangësitë në infrastrukturë, si dhe dobësitë në zbatimin dhe respektimin e rregullave vazhdojnë të krijojnë pasiguri dhe të rrisin kostot për bizneset dhe investitorët.

“Shqipëria ka mundësinë ta shfrytëzojë kërkesën e lartë në sektorin e turizmit, kalimin drejt një ekonomie qarkulluese dhe vazhdimin e reformave për pagesat digjitale për të nxitur më shumë investime private dhe vende pune më të mira,” tha Massimiliano Paolucci, Menaxheri i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë.

“Për ta realizuar këtë nevojiten reforma konkrete, që u ofrojnë investitorëve rregulla më të qarta, informacion më të besueshëm për tregun dhe më shumë siguri për të investuar kapitalin e tyre.”

DSPV identifikon masa konkrete në sektorët e agroturizmit, menaxhimit të mbetjeve dhe pagesave digjitale, të cilat mund të ndihmojnë bizneset të investojnë, të zgjerohen dhe të krijojnë mundësi ekonomike në të gjithë vendin.

Së bashku, këta tre sektorë mund të kontribuojnë në zhvillimin e turizmit me vlerë më të lartë, duke diversifikuar ofertën turistike, përmirësuar cilësinë dhe qëndrueshmërinë e destinacionit, dhe mundësuar transaksione më efikase dhe formale.

Sektori i agroturizmit ofron mundësi për të zgjeruar aktivitetin turistik përtej zonave bregdetare dhe sezonit të pikut veror, duke forcuar njëkohësisht lidhjet me bujqësinë dhe duke mbështetur krijimin e mundësive ekonomike në zonat rurale.

Pavarësisht kërkesës në rritje, investimet hasin vështirësi nga mangësitë në certifikim, informacioni i kufizuar për tregun, mungesa e fuqisë punëtore dhe e aftësive, si dhe zbatimi jo i njëtrajtshëm i rregullave.

Forcimi i certifikimit, regjistrimi më sistematik i qirave afatshkurtra, përmirësimi i të dhënave të turizmit, menaxhimi më i mirë i destinacioneve dhe përputhja e aftësive me nevojat e biznesit do të ndihmonin në nxitjen e investimeve me vlerë më të lartë në këtë sektor.

Kalimi i Shqipërisë drejt një ekonomie qarkulluese krijon mundësi për investime private në grumbullimin, trajtimin, dhe riciklimin e mbetjeve, si dhe në rikuperimin e materialeve, duke kontribuar njëkohësisht në një turizëm të qëndrueshëm.

Megjithatë, pjesëmarrja e sektorit privat mbetet e kufizuar për shkak të mungesës së qartësisë mbi fushat ku mund të angazhohet sektori privat, të dhënave të pamjaftueshme, sfidave në procesin e lejeve dhe stimujve të pamjaftueshëm tregtarë.

Përcaktimi më i qartë i mundësive për pjesëmarrjen e sektorit privat, kontratat dhe tarifat e parashikueshme, koordinimi më i mirë i proceseve të lejeve dhe informacioni i besueshëm për mbetjet do të ndihmonin për t’i bërë investimet në këtë sektor më tërheqëse dhe të qëndrueshme ekonomikisht.

Digjitalizimi i pagesave mund të mbështesë formalizimin, përfshirjen financiare dhe produktivitetin, duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja për bankat, ndërmarrjet fintech dhe kompanitë e teknologjisë.

Pavarësisht ecurisë pozitive të kohëve të fundit, përdorimi i parasë fizike dhe niveli i ulët i përdorimit të pagesave digjitale vazhdojnë të kufizojnë zhvillimin e tregut dhe investimet private.

Kapërcimi i këtyre pengesave do të ndihmonte në krijimin e një mjedisi më tërheqës për investime dhe inovacion.

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Mesazhet e një konference, pse qeveria nuk mund ta shpërfillë sipërmarrjen

Editorial / Çfarë ekonomie po ndërtojmë dhe me çfarë do të konkurrojmë në tregun europian? Kjo ishte pyetja që përshkoi forumin “E ardhmja e ekonom...

2 hours më parë 7 Min Lexim

Forumi i Monitor, TOP 200 bizneset: Nga do të vijë rritja

Forumi TOP 200 i “Monitor” e çoi renditjen vjetore të kompanive më të mëdha nga faqet e revistës në një debat mes sipërmarrësve, institucioneve dhe...

5 hours më parë 27 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!