
Situata e Jamal Musialës po kthehet në një shqetësim serioz për Bayern Munich. Ylli gjerman nuk e ka përfunduar ende plotësisht procesin e rikuperimit dhe së fundmi raportohet se ka përjetuar një tjetër episod neurologjik, të ngjashëm me atë që pësoi gjatë muajit gusht, në miqësoren ndaj Heidenheim.
Sipas raportimeve të gazetës gjermane “Bild”, 23-vjeçari ka kaluar një tjetër moment shqetësues ditën e hënë, duke rikthyer vëmendjen te gjendja e tij shëndetësore. Episodi ka shkaktuar alarm në klubin bavarez, aq sa çështja është bërë pjesë e diskutimeve në nivelin më të lartë drejtues.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur në të njëjtën ditë kur bordi mbikëqyrës i Bayernit ishte mbledhur për të diskutuar mënyrën se si duhet menaxhuar situata e futbollistit. Pas episodit të gushtit, klubi kishte bërë disa ndryshime në trajtimin medikamentoz të Musialës, por zhvillimet e fundit kanë ngritur sërish pikëpyetje mbi ecurinë e rikuperimit të tij.
Musiala ishte rikthyer në fushën e lojës gjatë fundjavës së kaluar, ndërsa në ditët e fundit vëmendje të madhe kishin marrë edhe deklaratat e drejtuesve të Bayern Munich për kontratën dhe të ardhmen e tij. Presidenti i nderit Uli Hoeneß, drejtori ekzekutiv Jan-Christian Dreesen dhe ish-drejtuesi Karl-Heinz Rummenigge kishin shprehur rezerva lidhur me situatën e lojtarit.
Ndërkohë, në këtë debat ka ndërhyrë edhe FIFPRO, organizata ndërkombëtare që përfaqëson futbollistët profesionistë. Përmes një deklarate të gjatë, ajo ka shprehur shqetësimin për komentet publike të drejtuesve të klubit gjerman, të cilët kanë vënë në diskutim kushtet e kontratës së Musialës në një periudhë kur ai po rikuperohet nga problemet fizike.
“Jemi thellësisht të shqetësuar nga deklaratat e përsëritura publike të drejtuesve të Bayern Munich, të cilët po vënë në diskutim kontratën e Jamal Musialës ndërsa ai po rikthehet nga një dëmtim. Presidenti i nderit, drejtori ekzekutiv dhe ish-drejtori ekzekutiv i klubit kanë vënë në pikëpyetje kontratën e tij brenda një periudhe të shkurtër kohore”, thuhet në reagimin e FIFPRO-s.
Organizata shkon edhe më tej, duke e konsideruar këtë një strategji të koordinuar për të ushtruar presion mbi futbollistin dhe përfaqësuesit e tij në prag të negociatave të mundshme.
“Një klub i përmasave të Bayern Munich nuk duhet të veprojë në këtë mënyrë. Kontratat janë bërë për t’u respektuar. Një dëmtim apo një rënie e formës nuk i jep klubit asnjë arsye për të rihapur kushtet e dakordësuara, ashtu siç një seri paraqitjesh të jashtëzakonshme nuk i jep automatikisht një lojtari të drejtën për rritje page”, përfundon deklarata.
