Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar mëngjesin e sotëm në lagjen “1 Maji” në Fier, ku një person është vrarë me armë zjarri dhe vëllai i tij ka mbetur i plagosur.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:40, në oborrin e banesës së dy vëllezërve, në rrethana ende të paqarta.
Viktima është shtetasi Selami Hasani, ndërsa vëllai i tij, Jakup Hasani, ka marrë plagë dhe është transportuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Rreth orës 09:40, në oborrin e banesës, në lagjen “1 Maji”, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi S. H. dhe është plagosur vëllai i tij, shtetasi J. H., i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në fshatin Dermenas është konstatuar një automjet që po digjet, i dyshuar si automjeti i përdorur nga autorët. – njofton policia.

Dyshohet se autorët janë futur në banesën e viktimës dhe e kanë ekzekutuar, ndërsa më pas janë larguar pa asnjë gjurmë.
Hasani është një emër i njohur për policinë. Ai ka qenë i dënuar me 25 vite burg, ndërsa akuzohet për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufaj ose i njohur ndryshe si “Ben Qimja”.
Ngjarja ndodhi Më 25 mars 2002, ku mbeti i vrarë edhe kambisti Esat Tare, ndërsa u plagosën Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj.
Për këtë ngjarje, Selami Hasani u dënua me 25 vite burg për vrasje dhe plagosje.
U arrestua pas shtatë vitesh në kërkim
Pas ngjarjes, Hasani u largua dhe qëndroi për disa vite jashtë Shqipërisë. Ai u arrestua më 12 gusht 2009 nga forcat speciale RENEA, në një operacion të zhvilluar në Fier, të koduar “Parukieri”.
Në momentin e arrestimit, policia i sekuestroi dy pistoleta.
U lirua pas 11 vitesh burg
Në shtator të vitit 2022, Selami Hasani kishte lënë qelinë pas rreth 11 vitesh burgim, pavarësisht dënimit me 25 vite heqje lirie.
Emri i tij ishte i lidhur me një histori të gjatë konfliktesh dhe hasmërie në Fier, e cila ndër vite është shoqëruar me disa ngjarje të rënda kriminale.













