Një fenomen i pazakontë është regjistruar në provincën Rize të Turqisë, ku ujërat e përroit Değirmendere, që përshkon qendrën e qytetit dhe derdhet në Detin e Zi, kanë marrë papritur ngjyrë të kuqe. Ndryshimi i pazakontë i ngjyrës alarmoi banorët dhe vuri në lëvizje autoritetet, të cilat nisën menjëherë hetimet për ndotjen e mundshme të ujit.
Në vendngjarje mbërritën përfaqësues të Bashkisë së Rizes dhe Drejtorisë Provinciale të Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike.
Pas inspektimeve në terren, të kryera edhe me ndihmën e dronëve, autoritetet identifikuan një subjekt që shkarkonte pa autorizim mbetje ose substanca të tjera në ujërat e përroit. Sipas mediave lokale, bëhet fjalë për një fabrikë private të përpunimit të çajit.
Pas konstatimit të shkeljes, ndaj subjektit u vendosën masa administrative në bazë të ligjit turk për mbrojtjen e mjedisit. Ndërkohë, u morën mostra uji, të cilat janë dërguar për analiza laboratorike për të përcaktuar përbërjen e substancave ndotëse dhe nivelin e ndotjes.
Deri më tani nuk dihet se çfarë substance shkaktoi ngjyrosjen e ujit dhe sa është dëmi i shkaktuar në mjedis. Guvernatoria e Rizes ka bërë me dije se, pas shqyrtimit të rezultateve laboratorike, mund të ndërmerren masa të tjera ligjore ndaj subjektit përgjegjës.
The Degirmendere Stream in Rize, Turkiye has turned red and prompted investigations by local authorities. https://t.co/vNLNQqeEbI
— Al Jazeera English (@AJEnglish) November 23, 2026
© SYRI.net