Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas pretendimeve se dronët detarë të përdorur në sulmin ndaj një anijeje luftarake ruse pranë brigjeve të Libisë janë nisur nga territori shqiptar, duke përshkuar mbi 800 kilometra në Detin Mesdhe.

Përmes një reagimi zyrtar, Ministria i ka cilësuar këto pretendime të pabazuara në prova, duke theksuar se nuk ekziston asnjë e dhënë e verifikueshme që të vërtetojë vendnisjen e dronëve apo identitetin e operatorëve që kanë realizuar sulmin.

Sipas Ministrisë, pretendimi është përhapur nga platforma Clash Report, e ndjekur nga Visioner, ndërsa paraqitja e tij si një fakt i konfirmuar krijon një narrativë dezinformuese, që lidh Shqipërinë me një operacion ushtarak kundër Rusisë.

Ministria e Mbrojtjes thekson se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk kanë kryer, nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë ofruar asnjë mbështetje për një operacion të tillë. Ky qëndrim vjen në mbështetje të reagimit të mëparshëm të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila gjithashtu ka përgënjeshtruar zyrtarisht përfshirjen e Shqipërisë.

Në reagim bëhet dallimi mes sulmit ndaj anijes ruse dhe pretendimeve për origjinën e mjeteve të përdorura, duke nënvizuar se fakti që një sulm ka ndodhur nuk përbën provë se dronët janë nisur nga territori shqiptar.

Ministria e Mbrojtjes e konsideron lidhjen e Shqipërisë me këtë operacion si informacion çorientues dhe kërkon që pretendimet e pambështetura në prova të mos përcillen si fakte të konfirmuara.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb