Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se ka nisur funksionimi i Sistemit të Pagesave të Shpejta (TIPS-K), përmes të cilit janë realizuar me sukses edhe transferet e para të menjëhershme.

Sipas BQK-së, në fazën e parë, ky shërbim ofrohet nga 4 prej 10 bankave që operojnë në Kosovë: ProCredit Bank, Banka për Biznes (BPB), Raiffeisen Bank dhe NLB Banka.

Klientët e këtyre bankave mund të transferojnë para ndërmjet tyre deri në 3,000 euro për transaksion, me kusht që banka e dërguesit dhe ajo e pranuesit të jenë pjesë e sistemit TIPS-K.

Risia kryesore është se transferet realizohen brenda pak sekondash, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare.

Pagesat mund të kryhen përmes aplikacioneve ekzistuese të bankave, si mobile banking dhe e-banking, pa pasur nevojë për hapjen e llogarive të reja.

Megjithatë, BQK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që para konfirmimit të transfereve të kontrollojnë me kujdes emrin, mbiemrin, IBAN-in dhe shumën e parave, si dhe të mos ndajnë të dhënat e sigurisë me persona të tjerë.

Transferet drejt bankave që ende nuk janë lidhur me sistemin e ri, si dhe ato që tejkalojnë kufirin prej 3,000 eurosh, do të vazhdojnë të realizohen përmes kanaleve ekzistuese të pagesave.

Bankat e tjera pritet t'i bashkohen gradualisht sistemit, pas përfundimit të përgatitjeve teknike dhe operative. Periudha kalimtare tremujore përfundon më 23 shkurt 2027.

BQK-ja ka bërë të ditur se po monitoron funksionimin e sistemit në bashkëpunim me bankat pjesëmarrëse dhe, sipas nevojës, me Bankën e Italisë.

Në rast se një transfer nuk konfirmohet menjëherë, qytetarët këshillohen të kontrollojnë statusin në aplikacionin bankar ose të kontaktojnë bankën përpara se ta përsërisin pagesën.

Sistemi TIPS-K u lansua zyrtarisht më 20 nëntor 2026, ndërsa sot, më 23 nëntor, projekti rajonal TIPS Clone do të inaugurohet edhe në Bankën e Italisë, në Romë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë të BQK-së.

Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës së pagesave në Kosovë, duke mundësuar transfere më të shpejta dhe qasje të pandërprerë në shërbimet bankare./KosovaPress