Qarku i Shkodrës është përballur me reshje shiu dhe erëra të forta gjatë natës. Në bashkinë Shkodër janë rrëzuar disa pemë, ndërsa në Malësinë e Madhe dhe Vaun e Dejës raportohen ndërprerje të energjisë elektrike. Situata më e rënduar paraqitet në bashkinë Fushë-Arrëz, ku janë dëmtuar çatia e shkollës 9-vjeçare në Iballë dhe disa banesa, ndërsa rrugët rurale kanë pësuar dëmtime nga prurjet e ujërave, gurëve dhe dherave. Ndërprerje të energjisë ka pothuajse në të gjitha njësitë administrative të kësaj bashkie.