Sulmi ndaj anijes ruse në Libi, Ministria e Mbrojtjes: Forcat e Armatosura nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë ofruar asnjë mbështetje për një operacion të tillë

Aktualitet | 7 minuta më parë

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas pretendimeve të publikuara në disa platforma ndërkombëtare se dronët detarë të përdorur në sulmin ndaj një anijeje luftarake ruse në portin e Bengazit, në Libi, janë nisur nga territori shqiptar.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria sqaron se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk kanë pasur asnjë përfshirje në operacionin që çoi në fundosjen e korvetës ruse “Merkury”.

Sipas ministrisë, pretendimi është përhapur nga platforma Clash Report dhe është ndjekur nga Visioner, ku është raportuar se dronët e përdorur për goditjen e anijes ruse janë nisur nga Shqipëria, duke përshkuar më shumë se 800 kilometra në Detin Mesdhe.

“Platforma Clash Report, e ndjekur nga Visioner, ka përhapur pretendimin se dronët e përdorur për goditjen e anijes ruse janë nisur nga territori shqiptar, duke përshkuar mbi 800 kilometra në Detin Mesdhe. Ky pretendim nuk shoqërohet me asnjë provë të verifikueshme për vendnisjen e dronëve apo identitetin e operatorëve. Paraqitja e një informacioni të tillë si fakt, pa prova dhe pa verifikim të pavarur, krijon një narrativë dezinformuese që e lidh Shqipërinë me një operacion ushtarak kundër Rusisë. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e ka përgënjeshtruar zyrtarisht pretendimin. Ministria e Mbrojtjes konfirmon se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk kanë kryer, nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë ofruar asnjë mbështetje për një operacion të tillë”, thekson Ministria.

Ministria shton se ky pretendim nuk shoqërohet me prova të verifikueshme për vendnisjen e dronëve apo identitetin e operatorëve. Sipas saj, paraqitja e një informacioni të tillë si fakt, pa verifikim të pavarur, krijon një narrativë që e lidh Shqipërinë me një operacion ushtarak kundër Rusisë.

Në reagimin e saj, Ministria e Mbrojtjes nënvizon gjithashtu se duhet bërë dallimi mes sulmit ndaj anijes ruse, përgjegjësinë për të cilin e ka marrë Ukraina, dhe pretendimeve për origjinën e mjeteve të përdorura. Sipas Ministrisë, ekzistenca e një sulmi nuk provon origjinën e mjeteve të përdorura dhe aq më pak përfshirjen e Shqipërisë.

“Duhet bërë dallimi mes raportimeve për sulmin ndaj anijes ruse dhe pretendimit se ai është organizuar apo realizuar nga territori shqiptar. Ekzistenca e një sulmi nuk provon origjinën e mjeteve të përdorura dhe aq më pak përfshirjen e Shqipërisë.

Ministria e Mbrojtjes mbështet qëndrimin zyrtar të MEPJ-së dhe e konsideron lidhjen e pabazuar të Shqipërisë me këtë operacion një informacion çorientues, që nuk duhet të riprodhohet si fakt i konfirmuar. Përgjegjësia në raportimin e çështjeve të sigurisë kërkon dallimin e qartë mes fakteve të verifikuara dhe pretendimeve të pambështetura në prova”, thekson Ministria.

Në lidhje me pretendimet që kanë qarkulluar për një përfshirje të mundshme të Shqipërisë në operacion, ka reaguar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ministria i ka cilësuar këto raportime si të pasakta, duke theksuar se Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në sulm dhe se territori shqiptar nuk është përdorur apo vënë në dispozicion për nisjen ose lehtësimin e një operacioni të tillë.

Ndërkohë, Ukraina mori përgjegjësinë për sulmin, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky konfirmoi se operacioni u realizua me shtatë dronë detarë, duke fundosur korvetën ruse “Merkury”, një prej anijeve më të reja të flotës së Moskës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme