Një 60-vjeçar nga Elbasani është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se më 14 nëntor vendosi lëndë plasëse në derën e banesës së një 47-vjeçareje në rrugën “Sadik Petrela” në Tiranë. Në momentin e ngjarjes, në automjet me të dyshohet se ndodheshin edhe tri vajza, mes tyre një e mitur, të cilat nuk e denoncuan krimin.

Policia ka identifikuar si autor të dyshuar A. Z., 60 vjeç, banues në Elbasan, pas hetimeve të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Gjurmimi”.

Ndërkohë, janë proceduar penalisht një 21 vjeçare me inicialet A. Ç. një 18 vjeçare me inicialet  A. L. dhe një 17-vjeçare. Të treja janë komshie të 60-vjeçarit dhe dyshohet se kanë qenë në të njëjtën makinë me të në momentin kur ndodhi shpërthimi.

Sipas policisë, ato nuk e kanë kallëzuar ngjarjen, ndaj po hetohen për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjatë hetimeve është sekuestruar makina e përdorur ditën e ngjarjes, si dhe katër telefona celularë.

Policia vijon kërkimet për kapjen e 60-vjeçarit, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë