Mariah Carey reagon pas shqetësimeve të fansave për gjendjen e saj gjatë koncertit: Mos besoni gjithçka që lexoni

Mariah Carey ka reaguar ndaj komenteve dhe shqetësimeve të fansave për performancën e saj të fundit, pasi pamjet nga koncerti në Brazil shkaktuan diskutime në rrjetet sociale.
Këngëtarja 57-vjeçare nisi turneun e saj të Krishtlindjeve 2026 në Brazil, ndërsa gjatë koncertit në Farmasi Arena, në Rio de Janeiro, iu drejtua publikut me një mesazh të drejtpërdrejtë: “Oh, dhe meqë ra fjala, mos i besoni gjithçkaje që lexoni në internet. Mos më zemëroni tani”.
Reagimi i saj vjen pasi një video nga performanca e këngës “Fantasy”, më 17 nëntor, shqetësoi fansat.

Në pamjet e publikuara, Mariah dukej se lëvizte me vështirësi në skenë, ndërsa një balerin e mbante për duar gjatë ecjes. Në një moment, edhe balerinë të tjerë e ndihmuan gjatë një lëvizjeje koreografike.
Pamjet nxitën reagime të shumta në rrjetet sociale. Disa ndjekës u shprehën të shqetësuar për mënyrën si lëvizte këngëtarja, ndërsa të tjerë vunë në diskutim energjinë e saj gjatë performancës.
Shqetësimet ishin shtuar edhe më herët, pasi Mariah ishte filmuar në Brazil duke marrë autografe, ndërsa mbahej për krahu nga një asistente gjatë ecjes.
Megjithatë, këngëtarja nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me komentet për gjendjen e saj. /Telegrafi/












































