27 vjet Shërbimi Korrektues i Kosovës, mbi 5 mijë të burgosur në programe rehabilitimi
Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka shënuar sot 27-vjetorin e themelimit. Të pranishëm në ceremoni ishin përfaqësues të lartë shtetëror, përfaqësues të institucioneve korrektuese dhe zyrtarë policorë.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës funksionon falë njerëzve që çdo ditë i shërbejnë këtij institucioni, duke theksuar se tashmë një përgjegjësi e re është kontributi në rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga jeta, raporton KosovaPress.
"Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk është vetëm një institucion që administron vuajtjen e dënimit. Ai është një institucion që garanton sigurinë, mbron rendin, zbaton ligjin dhe kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Por mbi të gjitha, ky institucion qëndron dhe funksionon falë njerëzve që çdo ditë i shërbejnë atij me përgjegjësi, me profesionalizëm dhe me përkushtim...Një përgjegjësi po ashtu e rëndësishme është kontributi në rehabilitim dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria. Sepse sot, një sistem korrektues i suksesshëm nuk matet vetëm me kapacitetin për të administruar dënime, por edhe me mundësinë që u jep njerëzve të ndryshojnë, të përgatiten për një jetë të re", tha ajo.
Ndërsa kryeministri, Albin Kurti u shpreh se gjatë këtyre viteve shërbimet korrektuese të Kosovës kanë shënuar përparim të rëndësishëm në profesionalizimin e stafit.
Kurti tha se mbrojtja e të drejtave të të burgosurve apo të paraburgosurve nga SHKK është dëshmuar përmes vlerësimeve të ndryshme.
“Natyrisht që burgu nuk është i mirë, por është i domosdoshëm për ta mbrojtur shoqërinë. I burgosuri apo i paraburgosuri e humbet lirinë por asnjëherë të drejtën. Të cilët mbrohen e respektohen nga të gjithë ne bashkë dhe nga secili prej jush, pavarësisht nga funksioni që përfaqëson. Ky progresi i madh i shërbimit të Kosovës dhe Kosovës është dëshmuar edhe përmes vlerësimeve të çmuara”, tha Kurti.
Ndërkohë ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla tha se SHKK ka dëshmuar profesionalizëm e integritet.
"Shërbimi Korrektues vërtet ka dëshmuar profesionalizëm, përkushtim dhe integritet, transformim të vazhdueshëm të infrastrukturës, rritje të numrit dhe cilësisë së zyrtarëve korrektues, si dhe përafrim me standarde bashkëkohore korrektuese. Në raportin e sivjetshëm të progresit të Komisionit Evropian, theksohet se Kosova ofron garanci të duhura ligjore për parandalimin e torturës dhe formave të tjera të keqtrajtimit. Sistemi i burgjeve në përgjithësi është në përputhje me rregullat standarde minimale të Kombeve të Bashkuara për trajtimin e të burgosurve", tha Gërvalla.
Drejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani shprehu mirënjohjen ndaj zyrtarëve korrektues dhe stafit civil.
Dibrani tregoi investimet e bëra në këtë institucion gjatë viteve të fundit, duke theksuar modernizimin e infrastrukturës, investimin në teknologji dhe avancimin e sistemit të sigurisë.
"Kemi investuar në ngritjen profesionale të stafit, me qindra zyrtarë të trajnuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe kemi fuqizuar institucionin me mbi 400 zyrtarë të rinj. Kemi themeluar institucionin për trajtimin e personave me nevoja të veçanta, kemi modernizuar infrastrukturën, kemi investuar në teknologji dhe kemi avancuar sistemin e sigurisë. Mbi 5 000 persona të privuar nga liria janë përfshirë në programe edukative profesionale dhe rehabilituese. Kemi nënshkruar me dhjetëra marrëveshje të bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile, duke krijuar mundësi të reja për arsim dhe përgatitje për rikthim në shoqëri", tha ai. /kp/





























