Pas Ministrisë së Jashtme, edhe Ministria e Mbrojtjes ka reaguar ndaj pretendimeve se dronët detarë të përdorur në një sulm të raportuar ndaj një luftanijeje ruse pranë brigjeve të Libisë janë nisur nga Shqipëria. Në reagimin e saj, Ministria e Mbrojtjes thotë se Forcat e Armatosura shqiptare nuk e kanë kryer operacionin, nuk kanë marrë pjesë në të dhe nuk kanë ofruar asnjë mbështetje. Pretendimi për nisjen e dronëve nga territori shqiptar u publikua fillimisht nga platforma Clash Report dhe më pas u përcoll nga Visioner. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, raportimet nuk japin prova të verifikueshme për vendin nga ku u nisën dronët apo për personat që i operuan. Me këtë reagim, Ministria e Mbrojtjes i bashkohet përgënjeshtrimit të Ministrisë së Jashtme. Ajo thekson se raportimet për goditjen e anijes, në vetvete, nuk provojnë se dronët u nisën nga Shqipëria.