Selami Hasani, i njohur në Fier si “Sel Çami”, është ekzekutuar me armë zjarri paraditen e sotme në lagjen “1 Maji” të Fierit. Ai u qëllua teksa po punonte në murin rrethues të banesës së tij, ndërsa i plagosur mbeti nipi i tij, Jakupi, i cili është transportuar në Spitalin Rajonal të Fierit.
Fillimisht, Policia njoftoi se viktima ishte qëlluar në oborrin e banesës dhe se i plagosuri ishte vëllai i tij. Por, nëndrejtori i Policisë së Fierit, Alkët Ahmetaj, sqaroi më pas se personi i plagosur është nipi i viktimës.
Hasani kishte një të kaluar të lidhur me një prej ngjarjeve të rënda kriminale në Fier dhe rezultonte i dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe plagosje, pas një përplasjeje me armë në vitin 2002, ku humbi jetën edhe Julian Isufaj, nipi i Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”.
Përplasja e armatosur ndodhi më 25 mars 2002, pranë “Sheshit të Valutës”, në qendër të Fierit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë Julian Isufaj dhe kambisti Esat Tare, ndërsa mbetën të plagosur Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj, ky i fundit kalimtar i rastit. Në përplasje u përfshinë Selami Hasani, Pëllumb Yzeiri dhe Kujtim Hasanbasha. Si shkak i saj dyshohej një hasmëri e vjetër mes familjeve Hasani dhe Isufaj.
Pas ngjarjes së vitit 2002, Hasani u largua nga Shqipëria dhe qëndroi për disa vite në arrati. Më 12 gusht 2009, ai u arrestua në Fier nga forcat RENEA, gjatë operacionit të koduar “Parukieri”. Në momentin e arrestimit, policia i sekuestroi dy pistoleta. Prej disa vitesh ai ishte liruar nga burgu.
Nëndrejtori i Policisë së Fierit, Alkët Ahmetaj, tha se njoftimi për të shtënat mbërriti në sallën operative rreth orës 09:50. Forcat “Shqiponja” dhe patrullat e përgjithshme shkuan në vendngjarje, ku konstatuan se një person kishte humbur jetën dhe një tjetër ishte plagosur.
“Ngjarja ka ndodhur në perimetrin e jashtëm të oborrit të banesës së viktimës, e cila po punonte aty. Në të njëjtin vend është plagosur edhe nipi i tij, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit”, deklaroi Ahmetaj.
Pas atentatit, në rrethrrotullimin e Pojanit, në drejtim të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, është gjetur një automjet i djegur, që dyshohet se është përdorur nga autorët. Policia është vënë në ndjekje të tyre dhe po kryen kontrolle, ndërsa një nga pistat që po hetohet është ajo e hakmarrjes, për shkak të konfliktit të vjetër mes familjeve Hasani dhe Isufaj.





