Policia e Tiranës ka zbardhur shpërthimin e ndodhur më 14 nëntor në rrugën “Sadik Petrela”, ku një sasi e dyshuar lënde plasëse shpërtheu në derën e jashtme të banesës së një 47-vjeçareje.
Në kuadër të operacionit të koduar “Gjurmimi”, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një 60-vjeçar, banues në Elbasan, i dyshuar si autor i ngjarjes.
Ndërkohë, policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për tre vajza, përkatësisht 21, 18 dhe 17 vjeçe, të cilat dyshohet se kanë qenë në automjet me 60-vjeçarin në momentin e shpërthimit. Sipas policisë, ato dyshohet se kanë pasur dijeni për ngjarjen, por nuk e kanë kallëzuar atë.
Gjatë hetimeve, autoritetet kanë sekuestruar automjetin që dyshohet se është përdorur ditën e ngjarjes, si dhe katër telefona celularë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale.
Policia vijon punën për kapjen e 60-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.










