Përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është në qendër të një takimi ministror që po mbahet këtë të hënë në Athinë, me nismën e ministrit të Jashtëm grek, George Gerapetritis. Shqipëria përfaqësohet nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili ka zhvilluar edhe një takim të veçantë me homologun grek.
Takimi i grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor dhe Partnerët e Ballkanit Perëndimor” zhvillohet dy ditë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor, me synimin për të ruajtur ritmin e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Diskutimet do të përqendrohen edhe te Presidenca greke e Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027, ndërsa në vëmendje do të jenë sundimi i ligjit, qeverisja demokratike dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Këto parime janë riafirmuar në Deklaratën e Delfit të 23 prillit 2026, ndërsa takimi zhvillohet nën temën “Nga Axhenda e Selanikut 2003 deri te Deklarata e Delfit 2026”.
Në axhendë është edhe mundësia e përfshirjes së Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), për të mbështetur reformat që vendet e Ballkanit Perëndimor po ndërmarrin në kuadër të integrimit europian.
Në margjinat e takimit, ministri grek Gerapetritis ka zhvilluar takime dypalëshe edhe me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, si dhe me Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe marrëdhëniet me Greqinë ishin në qendër të takimit që ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, zhvilloi këtë të hënë në Athinë me homologun grek, George Gerapetritis.
Takimi mes dy ministrave u zhvillua në kuadër të takimit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, ku po diskutohet edhe për perspektivën europiane të rajonit.
Hoxha dhe Gerapetritis folën për marrëdhëniet shqiptaro-greke, bashkëpunimin mes dy vendeve dhe ecurinë e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Ministri shqiptar falënderoi Greqinë për mbështetjen në procesin e integrimit, ndërsa theksoi se zgjerimi i Unionit duhet të mbetet një proces i besueshëm dhe i bazuar në meritë.
“Partneriteti strategjik, miqësia, dialogu i hapur dhe konstruktiv, si dhe e ardhmja e përbashkët europiane janë shtyllat e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë”, deklaroi Hoxha, duke nënvizuar edhe përgjegjësinë e përbashkët të dy vendeve, si aleate në NATO, për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Në përfundim të bisedimeve, ministri shqiptar shprehu dëshirën për ta pritur së afërmi Gerapetritis në Shqipëri.








Komente
Komento