Shpërthimi me eksploziv në banesën në Tiranë, policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin
Policia ka zbardhur shpërthimin e dyshuar me lëndë plasëse që ndodhi më 14 nëntor në rrugën “Sadik Petrela” në Tiranë, ku në shënjestër ishte dera e jashtme e banesës së një 47-vjeçareje.
Në kuadër të operacionit të koduar “Gjurmimi”, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një 60-vjeçar nga Elbasani, me inicialet A. Z., i dyshuar si autor i vendosjes së lëndës plasëse.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se në automjetin e përdorur gjatë ngjarjes ndodheshin edhe tre shtetase, të moshave 21, 18 dhe 17 vjeçe. Ato janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se kanë qenë në dijeni të ngjarjes, por nuk e kanë denoncuar atë.
Sipas Policisë, tre vajzat janë komshinj me 60-vjeçarin e shpallur në kërkim.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar automjeti që dyshohet se është përdorur ditën e shpërthimit, si dhe katër telefona celularë, të cilët do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme.
Ndërkohë, vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e 60-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



