Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe për Persona të Pagjetur ka mbajtur të hënën takim me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë takim u diskutuan çështjet që ndërlidhen me procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe funksionimin e Komisionit Qeveritar.


Kryetarja e Komisionit Qeveritar, Leonora Selmani, para deputetëve prezantoi një raport lidhur me punën dhe përgjegjësitë e këtij institucioni, duke theksuar se komisioni përbëhet nga nëntë anëtarë dhe ka për detyrë shqyrtimin e kërkesave dhe dokumentacionit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Ajo foli edhe për angazhimin në hartimin dhe plotësimin e akteve ligjore e nënligjore, si dhe për iniciativën për vazhdimin e mandatit të komisionit.

“Në bazë të legjislacionit që e kemi në fuqi jam munduar të sjell një raport me shkrim në pika të shkurtra. Siç e keni parë dhe siç është i përcaktuar me ligj, ky komision përbëhet prej nëntë anëtarëve.. Komisioni shqyrton lëndët lidhur me kërkesat e të drejtave të viktimave të dhunës seksuale dhe shqyrton dokumentacionet të cilat shërbejnë si prova të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Kemi punuar shumë edhe në ndjekjen e akteve nënligjorë por edhe akteve të brendshme të cilat kanë ndihmuar punën e komisionit.. Kemi punuar edhe në plotësim ndryshimin e ligjit dhe ka qenë iniciativë e këtij komisioni për vazhdimin e mandatit të këtij komisionit”, tha ajo.

Ndërkaq, kryetari i komisionit për mirëqenie sociale, Arton Konushevci, ngriti çështjen e ndryshimeve në përbërjen e Komisionit Qeveritar, duke kërkuar të dijë nëse ndërrimi i anëtarëve kishte ndikuar në funksionimin dhe mbarëvajtjen e punës së tij.

“Me çështjen e ndërrimit të anëtarëve, a është penalizua komisioni a ka pasur vështirësi në funksionim”, pyeti ai.

Lidhur me këtë çështje, psikiatri Shpend Haxhibeqiri tha se ndryshimet në përbërjen e komisionit nuk kanë shkaktuar vështirësi në qasjen ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale.

Ai theksoi se anëtarët kanë ndjekur trajnime dhe kanë shkëmbyer përvoja me ekipe nga shtete të ndryshme, ndërsa anëtaret e reja janë përshtatur me punën dhe përgjegjësitë e komisionit.

“Ne i kemi kaluar të gjitha trajnimet dhe kemi pritur të gjitha ekipet deri tash nga shtete e ndryshme, mendoj se baza ka mbetur i padëmtuar dhe koleget e reja që kanë ardhur në ekip, kanë qenë të vullnetshme që të mësojnë, të dëgjojnë dhe nuk kemi pasur ndonjë vështirësi në qasjen adekuate ndaj të mbijetuarave, që është kryesorja për neve”, tha ai.

Pas deklarimeve hyrëse të përfaqësuesve të Komisionit Qeveritar dhe pyetjeve të deputetëve, mbledhja po vazhdon me dyer të mbyllura për mediat. /Kp/