Armenia ka njoftuar planet për lidhjen e rrjetit të saj elektrik me Turqinë dhe Azerbajxhanin, në një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit të infrastrukturës për inteligjencën artificiale (AI).

Kryeministri armen Nikol Pashinyan e bëri të ditur këtë gjatë konferencës teknologjike DigiTec 2026 në Jerevan, ku diskutoi me zëvendëspresidentin e kompanisë Nvidia, Rev Lebaredian.


“Ne do t'i lidhim rrjetet tona elektrike me ato të Turqisë dhe Azerbajxhanit. Tashmë jemi të lidhur me Iranin dhe Gjeorgjinë dhe po investojmë për ta bërë transmetimin e energjisë më efikas”, deklaroi Pashinyan.

Ai njoftoi gjithashtu nisjen zyrtare të projektit TRIPP (Trump Route for International Peace and Prosperity), më 22 nëntor, duke theksuar se një pjesë e rëndësishme e tij lidhet me energjinë dhe tranzitin e energjisë elektrike.

Sipas kryeministrit, zhvillimi i shpejtë i Al ka ndryshuar ndjeshëm nevojat energjetike të vendit.

Derisa tetë muaj më parë Armenia kishte tepricë të energjisë elektrike, tani zgjerimi i qendrave të të dhënave po e detyron të kërkojë burime të reja furnizimi.

Vetëm kompania Firebird planifikon të zhvillojë infrastrukturë me kapacitet prej 300 megavatësh deri në fund të vitit 2027.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti i Nvidia-s, Rev Lebaredian, paralajmëroi se rritja e industrisë së Al do të kërkojë gjithnjë e më shumë energji.

“Sa më shumë energji të kesh, aq më shumë Al mund të prodhosh”, deklaroi ai.

Lebaredian theksoi se lidhjet energjetike ndërmjet vendeve mund të kontribuojnë edhe në paqen afatgjatë, duke krijuar interesa të përbashkëta ekonomike.

Pashinyan bëri të ditur se Armenia po shqyrton zgjerimin e energjisë diellore, përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe ndërtimin e një centrali të ri bërthamor.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Nvidia-s paralajmëroi se Evropa dhe SHBA-ja rrezikojnë të bëhen të varura nga vendet e tjera nëse nuk investojnë në infrastrukturën e Al.

“Nëse SHBA-ja dhe Evropa nuk zhvillojnë kapacitetet e tyre, thjesht do të detyrohen të importojnë Al nga vendet që po e zhvillojnë atë”, përfundoi ai. /Telegrafi/